Ministry of Education and Sports

Shkolla e hapur për komunitetin

Në kremtim të Ditës së Mësuesit, Qeveria prezantoi dy nisma të reja për fuqizimin e shkollës si qendër komunitare.

Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla bashkë me anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar u takuan me drejtues dhe mësues nga shkolla të ndryshme të vendit. Nisma e parë angazhon çdo anëtar të qeverisë të marrë në patronazh një shkollë. Ndërsa nisma e dytë vjen si një bashkëpunim me një grup figurash të spikatura të basketbollit shqiptar, të cilët  janë angazhuar të marrin në patronazh palestrat e shkollave dhe t’u vihen në dispozicion prindërve dhe fëmijëve që duan të mësojnë basketbollin. 

Në këtë kuadër u nënshkrua dhe marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe Presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, z. Avni Ponari.

Këto iniciativa synojnë t'i japin mbështetje transformimit të shkollës si qendër komunitare.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se ky projekt përbën tashmë një sukses dhe në ecurinë e tij i ka tejkaluar parashikimet. Në fillimet e tij u pilotuan 30 shkolla, por me kontributin e komunitetit, të biznesit dhe të partnerëve të Ministrisë së Arsimit, projekti është shtrirë në 180 shkolla në Shqipëri. 

“Është një risi për shkollën shqiptare, sepse besojmë ndajmë të njëjtën ide, sa më parë ne ta kthejmë shkollën të hapur për komunitetin, sa më parë ne të investojmë që shkolla të jetë djepi ku edukohen qytetarët e Shqipërisë evropiane, aq më shpejt shoqëria jonë do të jetë evropiane.”, u shpreh ministrja Nikolla.

Në fund, Kryeministri dhe ministrat tërhoqën simbolikisht, çelësin e shkollës për të cilën do të kujdesen. 

Këto shkolla, të cilat janë pjesë e nismës “Shkolla Qendër Komunitare”, në bashkëveprim të ngushtë me Ministrat përkatës, promovojnë dhe mbështesin gjithëpërshirjen si një përparësi e arsimit sot. Duke bashkëpunuar drejtpërsëdrejti me MAS, synohet të promovohen elementet më të mirë të gjithëpërfshirjes dhe ofrimin e bashkëpunimit të të gjithë bashkëmoshatarëve, të cilët ndihen të përjashtuar.

Shanse të barabarta dhe një edukim cilësor, në një shkollë gjithëpërfshirëse. Më shumë veprimtari sportive dhe aktivitetet, të cilat u japin më shumë mundësi nxënësve dhe komunitetit.

Shkolla si hapësirë ku promovohen historia, kultura dhe trashëgimia kulturore duke kthyer shkollat dhe në bashkëpunimin me muzetë, teatrove, bibliotekave, në qendra të kulturës e pjesë aktive të jetës në komunitet.

Biblioteka shkollore të pasuruara dhe të hapura jo vetëm për nxënësit, por dhe komunitetin, të cilat do të shërbejnë si një burim edukimi dhe kulture.

Gjimnazet me prioritet mbrojtjen e mjedisit mund të përcjellin ide për një mjedis të pastër, për shkolla ekologjike, për mbrojtje të florës dhe faunës së qytetit, duke u bërë nismëtarë për një mjedis të shëndetshëm.

Ruajtja dhe promovimi i vlerave turistike të vendit tonë është një domosdoshmëri për çdo qytetar shqiptar. Promovimi përmes projekteve shkollore i vlerave të pasura turistike të qyteteve ku jetojmë.

Njohja dhe zbatimi i ligjshmërisë dhe i standardeve evropiane duhet të bëhen pjesë e jetës së shkollave tona. Respektimi i të drejtës së tjetrit, njohja dhe zbatimi i procedurave, bashkëpunimi me punonjësit e ruajtjes së rendit, krijimi i mjediseve të sigurta në shkolla, parandalimi i rasteve të dhunës brenda dhe përreth shkollës janë tregues që rritin imazhin e shkollës si vend arsimimi dhe edukimi.

Një fushë tjetër e angazhimit të shkollave është pjesëmarrja në fushatat ndërgjegjësuese për një jetë të shëndetshme, kundër obezitetit për një ushqyerje të shëndetshme dhe për pjesëmarrje në sa më shumë veprimtari sportive. Të vendosur kundër përdorimit të alkoolit, duhanit dhe lëndëve narkotike.

Nisma “Shkollat e gjelbra” kërkon një bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Mjedisit dhe Bujqësisë. Sot është e nevojshme që fëmijët, nxënësit dhe komunitetet shkollore të kenë mjedise sa më të pastra, të ajrosura dhe të gjelbëruara.

Teknologjia e informacionit, tashmë pjesë e jetës, duhet të zërë vend sa më gjerë në shkollat tona. Kabinete informatike të mirëmbajtura dhe funksionale në shërbim të procesit mësimor. Tableta, një risi në procesin tonë mësimor, do të ndihmojë që nxënësit në çdo orë të ditës të jenë të lidhur me shkollën dhe mësuesit. Përparësi sot janë nxënësit në vështirësi komunikimi për shkak të largësisë, gjakmarrjes etj.

Shkollat janë përzgjedhur duket pasur parasysh:

·      Arritjet në procesin mësimor.

·      Stafin pedagogjik të kualifikuar dhe të përkushtuar për të siguruar arsim cilësor.

·     Pjesëmarrjen në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare. Pjesëmarrjen në projekte që synojnë përmirësim të arritjeve në fusha të ndryshme, mbështetje të shkollës dhe komunitetit dhe kanë treguar aftësi negociuese me partnerë vendas dhe të huaj.

·      Faktin që në to kanë studiuar intelektualë, njerëz të shquar dhe shkencëtarë në qarkun ku bëni pjesë.