Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla, vizitë zyrtare në Kosovë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami, pas takimit të dy delegacioneve zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp, ku prezantuan bashkëpunimet për të cilat u ra dakord.

Ministrja Nikolla deklaroi se mes dy vendeve do të vijohet me unifikimin jo vetëm të gjithë sistemit arsimor parauniversitar, por unifikimi do të shtrihet edhe në sistemin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

“Ajo që është e rëndësishme është që t’i bëjmë sistemet tona të arsimit, sisteme cilësore që të mundësojnë për të rinjtë e Shqipërisë dhe Kosovës, jo vetëm mobilitetin me sukses mes dy vendeve, por të jenë po aq të suksesshëm edhe në mobilitetin e tyre në çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian”, tha Nikolla.

Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, tha se mes institucioneve që ajo dhe Z. Bajrami drejtojnë po krijohet një intensitet i ri bashkëpunimi. Krahas grupeve të përbashkëta të punës për unifikimin e kurrikulës së klasave I dhe VI në sistemin parauniversitar, që tashmë është një realitet, do të vijohet me krijimin e grupeve të tjera për të vijuar me sukses reformat.

“Ne do t’i propozojmë mbledhjes së ardhshme të dy qeverive tona krijimin e një ekipi të përbashkët mes Ministres së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, që do të mundësojë standardizimin e procesit të kualifikimit të mësuesve, module të përbashkëta kualifikimi, por edhe ekipe të përbashkëta të trajnuesve për mësuesit, sipas kurrikulës së re të unifikuar, në arsimin parauniversitar”, u shpreh Lindita Nikolla.

Pjesë e diskutimeve mes delegacioneve ishte edhe reforma që dy vendet po zhvillojnë në arsimin e lartë. Ministrja Nikolla deklaroi në konferencën për shtyp se është e nevojshme që integrimi kombëtar i arsimit, mes Shqipërisë dhe Kosovës, të jetë sipas standardeve që lidhen me integrimin e arsimit të lartë të dy vendeve në hapësirën evropiane të cilësisë.

“Dy vendet tona po punojnë për një reformë të re, tërësore, në arsimin e lartë. Shumë shpejt ne do të kemi një konferencë të përbashkët për të tjetërsuar cilësinë në universitetet tona, për të tjetërsuar diplomat, në mënyrë që të ofrojnë mundësi të reja suksesi për të rinjtë e Shqipërisë e Kosovës. Gjithashtu për të mundësuar një realitet të ri shkëmbimesh mes stafeve akademike”, tha ministrja Nikolla.

Të dy ministrat shprehën angazhimin e tyre për të hequr barrierat burokratike të njohjes së diplomave mes dy vendeve.

Nga ana e tij, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami tha se është vendosur një kornizë e mirë bashkëpunimi në të gjitha nivelet e arsimit dhe sipas tij, u ra dakord që procesi i unifikimit të vazhdojë, në mënyrë që të ketë sa më shumë programe të përbashkëta mësimore.

“Ramë dakord që të fillojmë një traditë të re, atë të ‘Ditëve të Hapura’, ku një ditë në Tiranë dhe një ditë në Prishtinë, nxënësit, mësuesit, prindërit do të bashkohen me njëri-tjetrin me qëllim shoqërimin e tyre dhe masivizimin e bashkëpunimit”, tha Ministri Bajrami.

Në muajin shkurt, ishte Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami që vizitoi Shqipërinë dhe u prit nga Ministrja Lindita Nikolla.