Ministry of Education and Sports

Intensitet i ri bashkëpunimi me Kosovën

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, u prit në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ministrja Nikolla dhe Presidentja Jahjaga diskutuan në lidhje me bashkëpunimet e dy vendeve, ku ndër të tjera u ra dakord që këto marrëdhënie të avancohen dhe të thellohet bashkëpunimi me interes dypalësh.

Presidentja Jahjaga vlerësoi dhe mbështeti reformat e Qeverisë shqiptare në arsim si dhe përshëndeti Konferencën e përbashkët për arsimin e lartë, që pritet të zhvillohet në Prizren, ngritjen e grupit të përbashkët të punës për unifikimin e kualifikimit të mësuesve dhe projektin e ri, “Ditët e Hapura” që do bashkojë nxënës e mësues nga të dy vendet.

Ministrja Nikolla, shprehu angazhimin e Qeverisë shqiptare për të zgjeruar më tej bashkëpunimin e institucioneve të arsimit në Shqipëri dhe Kosovë.

Ndër të tjera, Ministrja Nikolla dhe Jahjaga shprehën rëndësinë që ka rritja e pjesëmarrjes së lidershipit femëror në politikë.

Gjatë vizitës në Kosovë, Ministrja Nikolla u prit edhe nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli të cilët mbështetën reformat e thella në gjithë sistemin arsimore.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli vlerësoi bashkëpunimin e dy vendeve në sistemin arsimor dhe përkushtimin për një arsim cilësor si dhe për unifikimin e programeve parauniversitare dhe universitare.

Ministrja Nikolla u takuam edhe me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, me të cilin u diskutua për bashkëpunimet në fushën e sportit. Z.Shala përshëndeti nismën e re të dy vendeve, “Ditët e Hapura”, pjesë e te cilave sipas tij, duhet të bëhen edhe aktivitetet sportive.

Gjatë takimeve që Ministrja Nikolla zhvilloi me personalitetet e larta shtetërore të Kosovës, u diskutua edhe në lidhje me nevojat për të bashkërenduar politikat në drejtim të arsimit profesional, si një kërkesë e tregut të punës.