Ministry of Education and Sports

Gjithëpërfshirje për fëmijët rom në sistemin arsimor

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot, e pranishme në konferencën kombëtare për arsimimin e fëmijëve rom, “Nga sfidat drejt mundësive”, ku deklaroi se deri në vitin 2019-të do të sigurohet funksionimi i sistemit që mundëson gjithëpërfshirjen e nxënësve në arsimin e detyrueshëm, i ndjeshëm ndaj nxënësve nga familje të shtresave në nevojë dhe të disavantazhuara.

“Statistikat flasin për tregues pozitivë në përmbushje të synimeve dhe prioriteteve të paravendosura në fushën e arsimit. Kështu, në vitin shkollor 2014-2015 janë regjistruar në arsimin parauniversitar 5766 fëmijë romë, rreth 1601 më shumë në krahasim me vitin e kaluar shkollor prej të cilëve: 921 fëmijë romë në arsimin parashkollor (312 më shumë se një vit më parë) prej tyre 298 në klasat përgatitore;  4437 nxënës romë në arsimin bazë; 408 nxënës romë në arsimin e mesëm. Tekstet  shkollore falas përfitohen nga rreth 3219 nxënës romë”, tha Ministrja Nikolla.

Sipa saj, në kuadër të programit “Shkolla si Qendër Komunitare” janë ndërmarrë një sërë masash për zbutjen e fenomenit të braktisjes së shkollës dhe për përmirësimin e situatës arsimore të komunitetit rom dhe egjiptian.

“Një ndër qasjet e suksesshme që kemi mbështetur, është organizimi i klasave suplementare/përforcuese për të frenuar braktisjen e shkollës nga fëmijët romë në bashkëpunim me pushtetin vendor”, tha Lindita Nikolla.

Duke folur për politikat e MAS për integrimin e fëmijëve rom në gjithë sistemin arsimor, Ministrja Nikolla tha se synohet përmirësimi i sistemit të mbledhjes së të dhënave statistikore për evidentimin e nxënësve braktisës që vijnë nga komunitetet rome. Ndërkohë janë identifikuar zonat ku mund të funksionojë shansi i dytë (duke pasur parasysh numrin e fëmijëve që kanë braktisur shkollën sipas grup-moshave).

 

Pas konferencës, Ministrja Nikolla diskuroi në një tryezë të veçantë çështjet dhe problemet kryesore që komuniteri rom kam.

Konferenca e zhvilluar në bashkëpunim me “Unicef”, “Save dhe Children” dhe “Koalicionin për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri” kishte për qëllim diskutimin rreth sfidave që fëmijët rom hasin në gëzimin e të drejtës për arsim dhe vështirësitë në vijimësinë e shkollës.

Gjetjet dhe rekomandimet e konferencës do të pasqyrohen në një plan të përbashkët veprimi, i cili do t’i bashkëngjitet agjendës të Ministrisë të Arsimit dhe Sportit, për të bërë të mundur që reformat e ndërmarra në garantimin e përfshirjes dhe integrimit të fëmijëve rom në sistemin arsimor të jenë sa më të suksesshme dhe afatgjata.

Të pranishëm, në konferencën e zhvilluar në “Hotel Tirana Internacional”, ishin përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, pushtetit lokal,  institucioneve ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, donatorë, organizata të shoqërisë civile si dhe të rinj rom aktivistë të shoqërisë civile.

Fjala e Ministres Lindita Nikolla në konferencën kombëtare për arsimimin e fëmijëve rom “Nga sfidat drejt mundësive”