Ministry of Education and Sports

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit në konferencën e dytë ndërkombëtare  të studimeve shqiptaro – greke

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit në konferencën e dytë ndërkombëtare  të studimeve shqiptaro – greke

 

I nderuar Z. Ambasador Rokanas,

I nderuar Z. Korkuti,

I nderuar Z. Spiro,

Të nderuar organizatorë, akademikë dhe pjesëmarrës.

 

Kam kënaqësi të jem në këtë takim të bashkëpunimit dhe të fuqizimit të marrëdhënieve, në fushën e studimeve shqiptaro-greke.

“Lidhja Filologjike Shqiptaro-Greke”, si organizatore e konferencës dhe revista “Albanohellenica”, ku botohen aktet e saj, gjithnjë e më shumë, po shihen si referencë e kërkimeve shkencore për lidhjet tradicionale midis popujve, që nga lashtësia deri më sot.

Gjatë viteve të fundit, marrëdhëniet e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të shkencës, ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, janë intensifikuar. E dëshmojnë këtë vizitat e Ministrit të Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë në Athinë, në mars 2014, dhe të Ministrit Grek të Arsimit dhe Besimeve Fetare në Shqipëri, në nëntor 2014.  Shpreh bindjen time se veprimtari shkencore si kjo e sotmja janë faktorë nxitës që çojnë më tej diskutimet dhe konkretizimet e çështjeve me interes të përbashkët.  

Kulturat e dy popujve për studiuesit janë si dy pasqyra, ku, jo vetëm mund të ndriçohen e shkuara dhe e tejshkuara, por dhe mund të shquhen kodet e bashkëjetesës ndër shekuj. Shqiptarë e grekë janë popuj paleoballkanas, që e kanë dëshmuar njeri-tjetrin qysh nga lashtësia homerike, deri në kohët moderne, janë fqinjët më të hershëm me kontakte të drejtpërdrejta në këtë rajon.

Shqipëria dhe Greqia kanë si përparësi investimin në kapitalin njerëzor, përmes një sistemi arsimor cilësor, si politikë e përshtatshme për përballjen me sukses të sfidave të kohës. Për këtë duhen krijuar mundësitë të reja bashkëpunimi që rritin miqësinë, ndërveprimin e mirëbesimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, që forcojnë stabilitetin rajonal dhe që çojnë përpara procesin e integrimeve Evropiane.

Është gjë shumë e rëndësishme dhe shprehje e emancipimit të mendimit që dijetarët shqiptarë dhe grekë, tashmë, jo vetëm njohin e dëgjojnë njeri-tjetrin, por kanë dhe fuqinë e argumentit për t'u përballur me çfarëdo çështje.

Një program dhe pjesëmarrje mbresëlënëse, që provohet prej dokumenteve të konferencës, dëshmojnë se, tashmë, kjo kategori etike e sjelljes evropiane – që jo rastësisht quhet me termin grek “empathia” – është e pranishme në sjelljet dhe raportet e ndërsjella të popujve që e lindën.

Të shohësh veten tek tjetri dhe tjetrin tek vetja është pikënisja e ndryshimeve emancipuese, çka kërkon ndryshimin e stereotipave të vjetër në Ballkan.

Ju keni krijuar tashmë një komunitet që funksionon dhe keni bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e duhur. Sakaq, konferencës do t'i bënte mirë një hapje edhe më e madhe ndaj studiuesve të rinj, përfshirë këtu ata që janë në formim e sipër. Sigurisht, pa u zënë vendin profesorëve dhe akademikeve, të cilëve u duhet dhënë mundësi që të shpalosin rezultatet e arritura.

Komuniteti shqiptar në Greqi dhe pakica kombëtare greke në Shqipëri janë ura të rëndësishme miqësie dhe bashkëpunimi. Në veçanti, bashkëpunimi në fushat e arsimit dhe të sportit i zgjeron dhe i përforcon këto ura. Në këtë kuadër, pas më shumë se një dekade, në vitin shkollor 2014-2015, shkollat e pakicës kombëtare greke u pajisën me tekste shkollore në gjuhën amtare. Gjithashtu, Qeveria shqiptare përmbushi angazhimin për përmirësimin e cilësisë së tyre, duke konsultuar mësuesit dhe duke botuar tekstet shkollore që mësuesit i vlerësuan si më cilësore. Gjuha greke, po ashtu, është pjesë e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore. Duke respektuar të drejtat e pakicave kombëtare, në këto shkolla është siguruar që asnjë fëmije të mos i mohohet e drejta për t’u arsimuar në gjuhën e nënës. Këtë vit, me kërkesë të banorëve të fshatrave Derviçan dhe Frashtan dhe me mbështetjen e pushtetit vendor u bë e mundur rihapja e dy klasave parashkollore me fëmijë të riatdhesuar dhe jo vetëm. Dy institucione arsimore, Shkolla e Mesme Derviçan dhe gjimnazi gjuhësor “Pandeli Sotiri”, janë përfshirë në kuadër të projektit tonë “Shkolla si Qendër Komunitare”. Gjithashtu, do të jenë pjesë e investimeve buxhetore të vitit 2015 projekte për infrastrukturën shkollore, ku studiojnë fëmijë të kësaj pakice kombëtare dhe fëmijë shqiptarë.

Shqipëria dhe Greqia, si dy vende fqinjë me aspirata të përbashkëta, duhet të kenë bashkëpunimin dhe vetëm bashkëpunimin si element thelbësor në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Sepse, sa më shumë të njihen e të bashkëveprojnë, aq më shumë thellohet dhe forcohet miqësia ndërmjet tyre. Në këtë kontekst, konferenca e sotme, që zhvillohet nga Lidhja Filologjike Shqiptaro-Greke dhe Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, është mundësi mjaft e mirë për forcimin e kontakteve, për thellimin e bashkëpunimit, për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe të kontributeve ndërmjet studiuesve, çka i afron ata me njëri-tjetrin dhe thellon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve fqinjë si Shqipëria dhe Greqia.

Ju uroj sukses në punën tuaj dhe ju falënderoj për vëmendjen.