Ministry of Education and Sports

Në gjimnazin "28 Nëntori", Shkodër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishin të pranishëm në aktivitetin e organizuar nga gjimnazistët e shkollës së mesme “28 Nëntori”, Shkodër, në kuadër të nismës “Shkolla si Qendër Komunitare”.

Në këtë aktivitetit, nxënësit e kësaj shkolle, kishin përgatitur një sërë projekt-propozimesh me qëllim përmirësimin e infrastrukturës mësimore dhe rritjen e cilësisë arsimore për këtë institucion arsimor. Nëpërmjet prezantimeve të tyre, ata ofruan ide dhe vizionin e tyre sesi mund të realizohen këto projekte.

Kryeministri Rama, në fjalën e tij, u shpreh i impresionuar nga idetë e nxënësve të kësaj shkolle, duke theksuar se qeveria është e angazhuar të investojë në çdo ide të vlefshme dhe konkrete. Nga ana tjetër, Kryeministri tha se projekte të tilla janë frymëzuese dhe shërbejnë si model për gjithë shkollat e tjera në vend.  

Ndërkohë, ministrja Nikolla duke falënderuar nxënësit dhe mësuesit e shkollës “28 Nëntori” për punën dhe përkushtimin e tyre në konceptimin e këtyre projekt-ideve u shpreh se përveç mbështetjes së plotë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për realizimin e tyre, MAS shumë shpejt do të zhvillojë panairin më të madh të ëndrrave dhe ideve për shkollat që funksionojnë si qendra komunitare.

Gjimnazi “28 Nëntori” është ndër 180 shkollat të caktuara për të qenë pjesë e projektit “Shkolla si Qendër Komunitare”. Ai është themeluar në vitin 1922, shënon 83 medalist, ndër to të punësuar në NASA. Gjithashtu nga kjo shkollë ka shumë përfaqësues në Parlamentin Shqiptar si dhe ka nxjerrë emra personalitetesh të shquar në vend.

Shkolla e Mesme “28 Nëntori” Shkodër, është vlerësuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit si një ndër 10 shkollat më të mira publike në rang republike, bazuar në rezultatet e Maturës Shtetërore 2014 si dhe është pjesë e projektit për marrjen në patronazh të shkollave komunitare nga ministrat, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.