Ministry of Education and Sports

Ceremonia e hapjes së Konferencës "Model United Nations"

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme në ceremoninë e hapjes së Konferencës Rinore “Model United Nations”, e zhvilluar sot në Sallën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla shprehu përkrahjen e saj ndaj të rinjve, për t’i kthyer dijet dhe shprehitë e fituara  në mënyrë sjelljeje e jetese në shkollë, komunitet e kudo, duke shënuar kështu një standard të ri qytetarie demokratike.

Model United Nations siguron  mundësi për të kontribuar drejt një të kuptuari të gjerë dhe aftësive për të krijuar dhe për të ruajtur situata paqësore, për të shprehur ide të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut dhe barazisë në shoqëri. Filloni sapo te ktheheni ne shkolle aksionin tuaj për zgjidhjen e konflikteve dhe jo dhunës. Përmes modelesh të tilla të gjithë ne synojmë ndërgjegjësimin e nxënësve për  të mësuar më shumë rreth çështjeve globale, rolit dhe funksionit të  Kombeve të Bashkuara”, tha Nikolla.

135 nxënës në ekipe, që përfaqësojnë 15 shkolla nga zona të ndryshme të vendit, dhe 40 vullnetarë të Korpusit të Paqes dhe mësues, ishin sot, në Sallën Plenare të Kuvendit dhe do të vijojnë të jenë pjesë e Konferencës që do të zhvillohet gjatë katër ditëve.

Në ditët e konferencës nxënësit do të shpalosin gjithë përgatitjet dhe rezultatet e punës së tyre që nga tetori 2014-të. Ata do të veprojnë në rolet e tyre si përfaqësues të 15 vendeve të ndryshme në 3 forume: Asambleja e Përgjithshme, Këshilli i Sigurisë dhe Këshilli Ekonomik dhe Social (ECOSOC) dhe do të diskutojnë temat të ndryshme.

“Model United Nations” është një simulim i një grupi të rinjsh, të cilët krijojnë ekipe që përfaqësojnë shkollat e tyre dhe angazhohen në veprimtari simuluese sikur të ishin në forume të Kombeve të Bashkuara.

Ekipet e tyre përfaqësojnë vende anëtare në OKB dhe angazhohen në debate tematike, mësojnë për diplomacinë dhe arritjen e kompromiseve, ushtrohen në punë kërkimore, punë në ekip, ushtrojnë të shkruarit, debatin dhe të folurit në publik.

“Model United Nations” zbatohet në Shqipëri nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Zyrës së Koordinatorit Rezident të Kombeve të Bashkuara dhe Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetja financiare është nga AADF-ja, Kombet e Bashkuara dhe USAID.

Në portofolin aktual të projekteve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), përfshihen edhe një seri veprimtarish për zhvillimin e lidershipit ndër të rinjtë  e shkollave të mesme, mes të cilave edhe Konferenca Rinore “Model United Nations”.

 

Fjala e Ministres Lindita Nikolla në ceremoninë e Konferencën Rinore “Model United Nations”