Ministry of Education and Sports

Bashkëpunimi me "Junior Achievement" për përfshirjen e një moduli ekonomik në kurrikulën e arsimit bazë

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim nënshkruan sot, marrëveshjen për integrimin e moduleve të “Junior Achievement”, si një kapitull më vete për edukimin ekonomik brenda lëndës së “Qytetarisë” në arsimin bazë të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Ministrja Nikolla tha se Qeveria Shqiptare e sheh zhvillimin e sipërmarrjes private në Shqipëri si një forcë lëvizëse kryesore për zhvillimin e ekonomisë dhe të shoqërisë.

Në këtë kuadër, firmosja e kësaj marrëveshje synon pikërisht materializimin e vizionit tonë që duke përgatitur sot, brezat e rinj me njohuritë mbi ekonominë që në moshë të re, ne do mund të nxjerrim nesër specialistë të mirë përgatitur dhe cilësorë, të cilët do të përballen me sfidat për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri, në hapësirën rajonale por dhe më tej në hapësirën evropiane e mbarëbotërore”, u shpreh Ministrja Nikolla.

Në përfundim të zbatimit me sukses të kësaj marrëveshjeje në vitin e 5-të, Programi i lëndës “Qytetaria” (Edukata Qytetare), përfshirë dimensionin ekonomik me kapitujt nga “Junior Achievement”, do të jetë pjesë integrale e kurrikulës së re (ajo e fokusuar me drejtim kompetencat) dhe sistemit të arsimit bazë, duke rritur kështu cilësinë e arsimimit për rreth 400 mijë nxënës në arsimin bazë.

Rreth 16 mijë mësues do të trajnohen në 5 vitet e ardhshme në mbështetje të zbatimit të kurrikulës së re të “Qytetarisë”.

Nëpërmjet këtij moduli, synojmë që nxënësit shqiptarë të fitojnë njohuri financiare dhe ekonomike, dhe të zhvillojnë aftësi për sipërmarrje dhe gatishmëri për punë. Njohuri dhe aftësi, të cilat i duhen më së shumti sot angazhimit tonë për një zhvillim sa më të mirë e të qëndrueshëm ekonomik, por edhe për t’u përshtatur sa më denjësisht nevojave të tregut të punës dhe kërkesave që janë prioritet kombëtare”, tha Lindita Nikolla.

Ministrja e Arsimit vlerësoi bashkëpunimin me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, në një kohë kur Junior Achievement në rreth 150 shkolla të mesme ka shënuar tashmë arritjet e veta si lëndë ne klasat 11-të dhe 12-të.

Nga ana e tij, Kryetari i Bordit të Fondit  Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF) Michael Granoff vlerësoi partneritetin me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje nga e cila do të përfitojnë 100 mijë nxënës, në një vit.