Ministry of Education and Sports

Panairi dhe Konkursi i Shoqërive të Nxënësve, shembull suksesi

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla mori pjesë në çeljen e Panairit dhe Konkursit Kombëtar të Shoqërive të Nxënësve, një nismë e programit “Junior Achievement”.

Ministrja përshëndeti nismat e 23 shoqërive sipërmarrëse për idetë e tyre të biznesit si dhe i inkurajoi të rinjtë pjesëmarrës të vazhdojnë të jenë shembull i një modeli që duhet shtrirë në gjithë sistemin arsimor parauniversitar.

“Sot jam e mbushur plot me energji për të dhënë mbështetjen e duhur në mënyrë që të rinj të tjerë t’i bashkohen këtyre nismave të mrekullueshme. Secili prej jush është padyshim një shembull suksesi që duhet të shtrihet përtej këtyre ekspozitave dhe të jetë shembull në komunitete, në shkolla, për t’u përjetuar nga shumë të rinj të tjerë”, tha Nikolla.

Gjithashtu, Ministrja vlerësoi marrëveshjen e bashkëpunimit për integrimin e moduleve të “Junior Achievement”, si një kapitull më vete për edukimin ekonomik brenda lëndës së “Qytetarisë” në arsimin bazë. Sipas saj, nuk është vetëm një marrëveshje, por një përgjegjësi e re për të mundësuar që shprehi që lidhen me edukimin ekonomik, të jenë pjesë e sistemit arsimor, që në moshë të hershme.

“Përmes bashkëpunimeve të tilla, që në arsimin bazë, do të mundësojmë që shumë të rinj të provojnë gjithë ciklin e plotë të krijimi të një biznesi të ri e të kemi gjithashtu një të ardhme më të mirë edhe për vendin”, tha Lindita Nikolla.

Në panairin e sipërmarrësve të rinj morën pjesë 138 nxënës maturantë nga i gjithë vendit të cilët promovonin idetë e tyre novatore duke shpalosur shpirtin e biznesit. Gjatë panairit shoqëritë e nxënësve do të vlerësohen për arritjet e tyre, ndërkohë që shoqëria fituese do të përfaqësojë Shqipërinë në konkursin evropian për “Shoqërinë e Vitit”, që zhvillohet në Berlin në korrik 2015-të.

Programi i “Junior Achievement” është integruar në kurrikulën me zgjedhje të lirë në 151 shkolla të mesme, sipas marrëveshjes së MAS me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), si një investim i rëndësishëm në shërbim të fuqizimit të të rinjve dhe zhvillimit të vendit.

I pranishëm në Panairin dhe Konkursin e Shoqërive të Nxënësve ishte Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Kryetari i Bordit të Fondit  Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF) Michael Granoff.