Ministry of Education and Sports

Aktivitet artistik nga nxënësit e gjimnazeve për shkrimtarin Skënder Sherifi

Ministria e Arsimit dhe Sportit vlerësoi sot, përmes një aktiviteti artistik, kontributin e shkrimtarit dhe poetit shqiptar të Evropës frankofone, Skënder Sherifi.

Në shfaqjen artistike, të zhvilluar në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, mori pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

Në fjalën e saj, Ministrja vlerësoi veprën e Z. Sherifi dhe gjithë kontributin që ai ka dhënë për gjuhën dhe kulturën shqipe dhe atë frankofone.

“Skënder Sherifi” është nga ata shqiptarë të Evropës frankofone që vjen për të na rrëfyer të bukurat e jetës. Këtë ndjesi pata edhe unë kur jam takuar me të pasi ai gjithë kohës fliste për bukurinë e jetës dhe dashurinë e madhe që ka për Shqipërinë, njerëzit, shkollën dhe letërsinë”, tha Nikolla.

Ministrja i dorëzoi Z. Sherifi një certifikatë mirënjohjeje për promovimin e vlerave kombëtare përmes veprës së tij letrare, përcjellë në një nivel të lartë artistik, në gjuhën frënge.

“Skënder Sherifi ka rreth 40 vite krijimtari artistike dhe 25 vite kontakti me Shqipërisë, që pas vitit 1990. Gjithë jetës së tij ai i është dedikuar letërsisë, mësimdhënies dhe kulturës frankofone e shqipe”, tha Ministrja.

Z.Sherifi shprehu emocionet e tij për vlerësimin e bërë nga ana e Ministres Nikolla.  “Gjithmonë e kam konsideruar vetën në Shqipëri si në familjen time, në gjenezën time, në burimin tim sepse çdo gjë e jetës time është nisur nën qiellin dhe tokën shqiptare”, tha Z. Sherifi.

Shfaqja në gjuhën frënge dhe shqipe ishte përgatitur nga nxënësit e shkollave të mesme "Naim Frashëri", "Sami Frashëri" dhe "Gustav Mayer".

Skënder Sherifi jeton prej moshës 1-vjeçare në Francë dhe Belgjikë. Ai është autor i 10 librave të shkruar në gjuhën frënge, ndërkohë që vetëm 3 prej tyre janë përkthyer në shqip, “Lojë dhe Kundërlojë”, “Oksigjeni “ dhe  “Ateljeri i ëndrrave”.

Në vitet 1976 – 1980 ka jetuar në Prishtinë  dhe pas vitit 1990 ka ardhur rregullisht në Shqipëri për të ruajtur lidhjet me vendin nga ku buron prejardhja e familjes së tij, Tropojën.