Ministry of Education and Sports

Në ceremoninë e mbylljes së karrierës sportive për Kreshnik Qaton

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme në ceremoninë e mbylljes së karrierës sportive të boksierit, Kreshnik Qato.

Gjatë fjalës së saj Ministrja vlerësoi arritjet e sportistit Qato, dhe i cilësoi ato si model suksesi për t’u ndjekur nga të rinjtë.

“Rezultatet e këtij kampioni të madh shërbejnë si një shembull për t’u vlerësuar dhe një model suksesi që duhet ndjekur nga shumë të rinj të tjerë. Të gjithë ne duhet të krijojmë gjithë mundësitë që edhe të rinj të tjerë të talentuar në boks e në sporte të tjera, të arrijnë sukses”, tha Nikolla.

Ministrja e Sportit tha, gjithashtu, se gjithnjë e më shumë të rinjtë duhen mbështetur fort për të shënuar rezultate e për të shpalosur në sistemin e edukimit vlerat e patjetërsueshme që ka sporti.

“Kjo sallë sot, ka shumë personalitete, por vetëm një kampion, vetëm një ‘Mjeshtër të Madh’. Përulem me respekt për gjithçka që ju keni bërë, duke shprehur mirënjohjen edhe për Z. Ylli Ndroqi që ju ka mbështetur në këto rezultate. Shpreh edhe një herë gatishmërinë e institucionit që unë drejtoj për të qenë krah jush duke mundësuar që modele si ju të jenë pjesë e edukimit të brezave të rinj”, iu drejtua Ministrja Nikolla, sportistit Kreshnik Qato.

Kreshnik Qato i ka veshur dorezat e boksit në moshë të re duke e filluar karrierën amatore në ekipin e të rinjve në qytetin e lindjes, Durrës. Pasi përfundoi shkollën e mesme, Qato iu përkushtua vetëm boksit, dhe shumë shpejt ai kaloi në ekipin përfaqësues të Shqipërisë.

Studimet akademike për degën e boksit, Qato i kreu në vitet 1997- 2000, në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve,  “Vojo Kushi”, Tiranë. Por, karriera e boksierit të ri ndryshoi rrënjësisht, kur trajneri anglez Luigi Leo i propozoi shqiptarit Qato ,të kalonte në boksin profesionist në vitin 2000, duke i ofruar ndihmën e tij si trajner.

Në vitin 2010 boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato mbrojti  për të katërtën herë titullin e kampionit të botës në versionin "World Boxing Federation". Karriera e Qatos vazhdoi me disa duele te tjera  të zhvilluara në Londër, ku boksieri korri vetëm fitore.

Kjo karrierë e suksesshme e Qatos është vlerësuar edhe nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani i cili në vitin 2013  i akordoi kampionit shqiptar të boksit Kreshnik Qato, Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin “Për talentin dhe kontributin e çmuar që ka dhënë dhe jep për të mbajtur lart jehonën e sportit shqiptar kudo në botë”.