Ministry of Education and Sports

Integrim i përbashkët arsimor rajonal, e më pas evropian

Gjatë Konferencës Rajonale për Arsimin e Larte dhe Kërkimin Shkencor, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Astrit Bajrami dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi zhvilluan një takim të përbashkët , ku u ra dakord që së shpejti të firmoset një marrëveshje mes tre vendeve në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, vende të cilat janë në proces të reformimit të arsimit të lartë, synon të unifikojë standardet, kurrikulat, diplomat e vendeve, në kuadër të integrimit arsimor rajonal.

Gjatë konferencës për shtyp, të zhvilluar pas takimit të tre Ministrave të Arsimit, Ministrja Nikolla tha se Konferenca Rajonale do të vendos një agjendë të re pune për arsimin e lartë, me një kryefjalë që është cilësia.

“Jo vetëm që ju falënderoj për organizimin e kësaj konference, por shpreh gatishmërinë e Qeverisë Shqiptare dhe institucionit që unë drejtoj që të ecim me ritmet e kësaj agjende të fortë pune, sepse arsimi është politika më e mirë ekonomike, është sektori që na prek të gjithëve dhe të gjithë jemi të interesuar që ky sektor të eci shpejt, sipas zhvillimeve të kohës. Në këtë mënyrë, do t’u mundësojmë qytetarëve shqiptarë në vendet tona, por jo vetëm, që përmes sistemit tonë arsimor të formohen me shprehi, me dije, me qëndrime të konvertueshme me tregun e punës në vendet tona të rajonit, por edhe në hapësirën evropiane dhe më gjerë”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se kryefjala e marrëveshjes mes dy vendeve është cilësia e diplomave, e kërkimit shkencor, e Institucioneve të Arsimit të Lartë, të gjitha këto të krahasueshme me standardet evropiane të cilësisë.

Ekipet e ekspertëve që marrin pjesë në këtë konferencë po punojnë për të gjetur hapësirat e përbashkëta për orientim drejt unifikimit rajonal të arsimit të lartë.