Ministry of Education and Sports

Tryezë diskutimi me biznesin për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla zhvilloi sot, një tryezë diskutimi me përfaqësues të biznesit në lidhje me Ligjin e ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

Ministrja Nikolla i ftoi përfaqësuesit e biznesit t’i bashkohen rrugës së reformave në arsimin e lartë, për një orientim jo vetëm sipas standardeve evropiane, por edhe sipas nevojave të tregut të punës. Ministrja vuri në dukje se skema e re e financimit, që parashiko Ligji i ri i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, për herë të parë, orientohet nga performanca dhe rezultatet.

“Për herë të parë ne vendosim në Institucionet e Arsimit të Lartë një kod të ri cilësie, me tregues të matshëm sipas standardeve evropiane. Nga ana tjetër, kjo skemë e re financimi diversifikon financimin duke mundësuar jo vetëm financime publike nga buxheti i shtetit, pa hequr dorë nga zotimi se arsimi është prioritet i kësaj qeverie, por duke e diversifikuar financimin edhe përmes pjesëmarrjes së aktorëve të tjerë, partnerë të rëndësishëm si ju”, tha Nikolla.

Ministrja u shpreh se me rëndësi është krijimi i një situate të re për përzgjedhja e degëve dhe profile nga ana e studentëve, jo siç ka ndodhur deri më sot, ku ka mbipopullim në degë që nuk qasen me tregun e punës, ndërkohë që lihen jashtë vëmendjes shumë profile që janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

“Pa hequr dorë nga masivizimi i arsimit të lartë, për t’i ofruar çdo të riu të drejtën që sipas meritës të jetë pjesë e arsimit të lartë, reforma jonë kërkon një vëmendjen të posaçme për ta kthyer në drejtimin e duhur këtë sektor jetik për vendin, duke vënë si kryefjalë të ligjit të ri, cilësinë. E shoqëruar kjo me një set të rëndësishëm ndryshimet që lidhen me skemën e financimit, skemën e organizimit, zgjerimin e autonomisë, mënyrën e përzgjedhjes së degëve, etj.”, tha Nikolla.

Gjatë diskutimeve që pati me përfaqësuesit të biznesit, të cilët shprehën sugjerimet e tyre, Ministrja Nikolla shtoi se duhet zhvilluar kultura e donacionit për ekselencën, organizimi i programeve të përbashkëta me biznesin, etj. Sipas Ministres, në këtë mënyrë vihet një gurë i rëndësishëm që ka të bëjë me formimin e kapitalit shoqëror në vend.

“Ligji i ri i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor drejton sytë nga studenti, duke mundësuar që përmes një granti, të kenë mundësi të shkollohen e të marrin diploma cilësore edhe ata studentë që vijnë nga familje në nevojë, të cilët kanë meritën por nuk kanë mundësinë ekonomike. Gjithashtu edhe duke ofruar bursa të plota studimi aty ku gjenerohet ekselenca”, u shpreh Lindita Nikolla.

Në tryezën e organizuar në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, përfaqësuesit e bizneseve në vend, shprehën mbështetjen e tyre për ligjin e ri të arsimit të lartë si dhe vunë në dukej nevojën për më shumë praktika profesionale për studentët. 

 

Letër e Ministres së Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla drejtuar bizneseve