Ministry of Education and Sports

Të pastrojmë bregdetin - 22 Maj 2015

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe lëvizjen “Ta Pastrojmë Shqipërinë” prezantuan sot, fushatën “Të Pastrojmë Bregdetin -22 Maj”, e cila ka për qëllim të mobilizojë nxënësit për aksionin vullnetar të pastrimit të bregdetit dhe të dy liqeneve në vend, Pogradec dhe Kukës

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, tha se rëndësia e kësaj nisme të re, pas asaj të pastrimit të mjedisit, lidhet jo vetëm me edukimin dhe sensibilizimin e të rinjve për mbrojtjen e bregdetit, por edhe në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm.

“Edukimi nëpërmjet aksionit është koncepti i ri që synohet të transmetohet, sidomos tek grup-moshat e reja duke nxitur tek ata frymën e vullnetarizmit si dhe duke bërë lidhjen e teorisë me praktikën në terren”, tha Malaj.

"Green Tour 4” është një fushatë sensibilizuese në terren, e cila ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe adresimin e problemeve të mjedisit. Një grup prej 20 vullnetarësh do të udhëtojnë për dy javë në qytetet kryesore të Shqipërisë nga data 11  Maj – 21 Maj.

 

“Green Tour” do të shoqërohet me një seri aktivitetesh gjithëpërfshirëse si më poshtë:

  • Takime në shkolla, gjimnaze dhe universitete për të diskutuar me të rinjtë dhe mësuesit për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, kontributit në komunitet dhe vullnetarizmit.
  • Organizimi i Tryezave të Rrumbullakëta Rajonale (takime të hapura), me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë (Drejtoritë Rajonale Arsimore, Institucionet dhe Agjencitë Rajonale, Organizata të Shoqërisë Civile, përfaqësues të mediave, komuniteti i biznesit, vullnetarë). Temat kryesore të këtyre konferencave do të kenë fokus aksionin “Ta Pastrojmë Bregdetin”, rolin e shoqërisë civile në komunitet, edukimin mjedisor, kontributin në komunitet, vullnetarizmin, angazhimin e të rinjve, mirëqenien sociale, rolin e pushtetit vendor në mbrojtjen e mjedisit, turizmin e qëndrueshëm, përgjegjësinë sociale, roli i medias në rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet e mjedisit.
  • Aktivitete argëtuese dhe informuese në qendrat e qyteteve, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit dhe aksionin e pastrimit, anëtarësimin e vullnetarëve të rinj.

 

Kalendari i aktiviteteve