Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla në Komisionin e Edukimit per Projektligjin mbi Arsimin Parauniversitar

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme në seancën dëgjimore të Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publike, në lidhje me ndryshimet e Ligjit 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja renditi të gjitha ndryshimet që propozon ky projektligj dhe argumentet në të cilat ato bazohen.

“Projektligji propozon disa ndryshime që reflektojnë prioritetet aktuale të qeverisë dhe harmonizimin e koncepteve të kornizës kurrikulare , kompetencave themelore, qëllimin e arsimit parauniversitar, strukturën e arsimit bazë. Përmbajtja e kornizës kurrikulare duhet të pasqyrohet edhe në ligj, ku pjesë e saj janë element të rëndësishëm që sjellin nevojën për të sugjeruar ndryshime në nene të caktuara të këtij ligji”, tha Nikolla.

Një ndër ndryshimet është ai i pikës 2 të Nenit 22, për të cilin Ministrja tha se propozohet ruajtja në sistemin e arsimit parauniversitar, skema 5+4+3 dhe jo ajo 6+3+3 që parashikohej të ndryshohej pas vitit 2015-të, sipas ligjit aktual 69/2012.

“Ky propozim vjen pasi struktura 6+3 vështirëson zhvillimin e mësimit në disa lëndë që do të duhet të realizohen nga mësues të arsimit të mesëm të ulët dhe që nuk janë të përgatitur shkencërisht e profesionalisht të përballojnë procesin e mësimdhënies e lëndëve në klasë të gjashtë. Për të përballuar nevojat mësuesit janë në trajnime të vazhdueshme për metodat e mësimdhënies në lëndët sipas kurrikulës së re, në klasën e gjashtë. Ndryshimi i strukturës po ashtu bëhet për të qenë në përshtatje me strukturën e Kosovës me të cilën ne po shkojmë në unifikim të sistemeve tona arsimore. Shtete të ndryshme kanë modele  të ndryshme dhe nuk ka një formulë fikse të sistemit të arsimit parauniversitar”, u shpreh Nikolla.

Pika 2 e Nenit 22 “Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga pesë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga katër klasa, nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë.”.

Një tjetër ndryshim është ai i Nenin 47 që ka të bëjë me tekstet shkollore

“Alterteksti u konceptua dhe u zbatua si politikë arsimore që mundësoi certifikimin e disa teksteve shkollore alternativë, për lëndë, klasë, prej nga mësuesi bënte zgjedhjet e tij. U pohua se konkurrenca e lirë, përfshirja e shumë botuesve, çlirimi i kapaciteteve intelektuale të autorëve dhe gara mes tyre nën kontrollin e Ministrisë së Arsimit do të bënte që librat të ishin të pakrahasueshëm nga cilësia nga ata të shitur më parë. Ndërkaq të dhëna të shumta provojnë se cilësia e pjesës më të madhe të teksteve shkollore nuk është përmirësuar, përkundrazi”, tha Nikolla.

Në nenin 47 bëhen këto ndryshime: Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Tekstet shkollore përzgjidhen mbi bazën e standardeve të teksteve nëpërmjet një konkurrimi të hapur, të barabartë dhe transparent. Procedurat e zhvillimit të konkursit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Tekstet për nxënësit janë unike për çdo lëndë ose fushë të të nxënit, sipas klasave dhe për të gjitha shkollat. Ato sigurohen nga botuesit vendas ose të huaj. Tekstet certifikohen nga ministria.”.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja tha se nga 171 tekste të nevojshme për sistemin parauniversitar, deri në vitin 2013-të ishin certifikuar 1130 tekste, duke shkuar deri në 11 alternativa për një tekst. Ndërkohë, në vitin 2014-të, pas një procesi rigoroz përzgjedhjeje dhe komunikimi të vazhdueshëm me shtëpitë botuese, u arrit që vetë botuesit të tërhiqni nga katalogu 130 tekste me probleme.

“Kemi realizuar një proces votimi nga mësuesit në të gjithë Shqipërinë, një proces model me rregulla strikte nga i cili rezultoi se vetëm 156 tekste janë përzgjedhur nga mbi 10% e mësuesve, pra 75% e teksteve që janë sot, në sistem votohen nga më pak se 10% e mësuesve”, tha Nikolla duke shtuar se 93% e mësuesve votojnë për një tekst unik.

Projektligji për ndryshimet në  sistemin arsimor parauniversitar parashikon dhe ndryshime në Nenin 60, pika 1 që lidhet me emërimin e mësuesve.

“E ndryshojmë këtë pikë me dëshirën maksimale për të riformatuar gjithë skemën e rekrutimit të mësuesve, por pa hequr dorë nga roli i prindërve, transparenca dhe nga vullneti për të përmirësuar dinamikat që lidhen ne procesin e rekrutimit të mësuesve në arsim”, tha Nikolla duke shtuar se në këtë pikë është parë efikasiteti i rekrutimit sipas portalit Mësues për Shqipërinë.

 

 

Projektligji