Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla në Komisionin e Integrimit Evropian

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot, e pranishme në seancën dëgjimore të Komisionit për Integrimin Evropian, në lidhje me projektligjin “Për disa ndryshime të ligjit 69/2012 për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligji i prezantuar në Kuvendin e Shqipërisë është në një linjë me Planin Kombëtar të Integrimit Evropian.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla prezantoi ndryshimet që sjell ky projektligj, ku ndër të tjera tha se, për hartimin e tij ekspertët janë mbështetur në dokumentet e Bashkimit Evropian për çështje të arsimit, konventa e karta ndërkombëtare, si dhe ligje analoge të viteve të fundit, të shumë shteteve.

“Projektligji i paraqitur për miratim në Kuvendin e Shqipërisë është një hap tjetër drejt përshpejtimit të integrimit të arsimit parauniversitar në sistemin arsimor evropian, konsolidimit të reformave të rëndësishme të ndërmarra së fundi nga qeveria dhe që kanë në fokus cilësinë në arsim si dhe krijimin e hapësirave për reforma të tjera themelore në përmirësimin e rritjes së kësaj cilësie”, tha Nikolla.

“Sistemi ynë arsimor parauniversitar është përfshirë në një reformë te re kurrikulare të bazuar në kompetenca, që është edhe trendi i sistemeve arsimore të Evropës, ndaj përfshirja e kësaj kurrikule tëre kërkon rikonceptim të Nenit 13-të, lidhur edhe me kompetencat themelore për nxënësit”, u shpreh Ministrja Nikolla.

Neni 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 13 Kompetencat themelore Kompetencat themelore për të gjithë nxënësit janë: a) Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit; b) Kompetenca e të menduarit; c) Kompetenca e të mësuarit për të nxënë; ç) Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin; d) Kompetenca personale; dh) Kompetenca qytetare; e) Kompetenca digjitale.”.

Në lidhje me ndryshimet në ligjin aktual 69/2012 për tekstet, Ministrja Nikolla tha se do shkohet drejt tekstit unik duke mos hequr dorë nga konkurrenca.

“Për realizimin e procesit të përzgjedhjet ajo që shtohet është fakti që kemi vendosur standarde. Deri më sot përzgjedhke bëhej mbi disa kritere që përcaktoheshin nga Ministri, ndërkohë që ne kemi realizuar një dokument që është standardi për tekstet shkolle dhe që është një mekanizëm për përzgjedhjen e teksteve shkollore cilësore”, tha Ministrja duke shtuar se nuk bëhet fjalë as për përmbysje dhe as për përmirësim të altertekstit, por për një zhvendosje nga alterteksti.

Në lidhje me ndryshimin e Nenit 60, pika 1 për emërimet e mësuesve, Ministrja e Arsimit tha se propozohet një riorganizimin i procesit, por jo duke lënë jashtë prindërit, por duke e përmirësuar këtë proces edhe me tregues të tjerë të rëndësishëm që risin transparencën, siç është rankimi në portalin “Mësues për Shqipërisë”.

Gjithashtu, Ministrja shprehu argumentet edhe për ndryshime të tjera në ligj si, ai për Medaljen e Artë dhe ruajtjen e strukturës 5+4+3 në sistemin e arsimit parauniversitar.