Ministry of Education and Sports

Trajnimi i mësuesve për kurrikulen e re

Që nga shtatori i vitit 2015-të, kurrikula e re me bazë kompetencat do të zbatohet në klasat e para dhe të gjashta, të gjithë sistemin arsimor parauniversitar në vend.

Për të paraprirë zbatimin e saj, sot filloi faza e parë e trajnimit të mësuesve të klasave të para dhe të gjashta sipas çdo profili, nga çdo DAR/ZA.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ndoqi nga afër trajnimin e mësuesve në shkollat “Ahmet Gashi” dhe “28 Nëntori”, në Tiranë.

“Pilotimi i kurrikulës së re në 26 shkolla në rang vendi tregoi se reforma kurrikulare është përkrahur nga mësuesit dhe nxënësit, por edhe nga prindërit, sepse në portofolin e nxënësve tashmë shtohet vlerësimi i tyre dhe kjo është një risi”, tha Ministraja Nikolla duke shtuar se kurrikula mbi bazë kompetecat do të sjell një standartd të ri në arsimin parauniversitar.

Ministrja shtoi se janë mbi 1500 mësues nga e gjithë Shqipëria, të cilët nën organizimin profesional të Institutit të Zhvillimi të Arsimit, dhe partnerëve si “Unicef” dhe “Kultur Kontakt Austria” po mundësojnë një proces trajnues, me qëllim që në shtator të këtij vitit mësuesit të zhvillojnë mësim me kurrikulën e re.

Ky trajnim është hapi i parë që do të çojë në trajnimin e 11 mijë mësuesve të klasave të para dhe të gjashta në rang vendi.

Konceptimi i kurrikulës me bazë kompetencat i bën mësuesit më të përgjegjshëm për profesionin e tyre. Mësuesit nuk do të jenë thjesht interpretues të kurrikulës, por edhe krijues dhe lehtësues të saj.  Për këtë arsye është në zbatim plani strategjik i zhvillimit profesional të mësuesve dhe i strukturave përkatëse, pjesë e të cilit është dhe skema e trajnimit të tyre.

Procesi i pilotimit të kurrikulës ka filluar dhe në të janë përfshirë klasat e para dhe të gjashta, në 26 shkolla, në 13 DAR. Deri tani, në nivel republike,  janë trajnuar 550 mësues të shkollave pilot. Ky proces është drejtuar dhe menaxhuar nga MAS dhe IZHA dhe është mbështetur e lehtësuar nga DAR/ZA-të dhe drejtuesit e shkollave pilot.

Janë përzgjedhur nga DAR/ZA sipas kritereve të përcaktuara mësuesit më të mirë të cdo profili lëndor. Këta mësues do të krijojnë grupet e trajnerëve për cdo qytet dhe do jenë kordinatorët e rjeteve profesionale.

Faza e dytë e trajnimit do të do të vijojë për reth 30 ditë në të gjithë Shqipërinë, në cdo DAR. Ekipet e mësuesve të trajnuar sot, së bashku me specialitë të IZHA, ISHA, MAS do të trajnojnë të gjithë mësuesit që do të përfshihen në zbatimin e kurrikulës së reformuar, në klasat e para dhe të gjashta.