Ministry of Education and Sports

Njësimi i diplomave të huaja, aplikimi në portalin e-albania

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla prezantoi sot, shërbimin e njohjes së diplomave të huaja në portalin qeveritar e-albania.al, gjatë konferencës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Ministrja Nikolla deklaroi se shërbimi i njohjes së diplomave të huaja është vlerësuar si një nga shërbimet me fluksin më të madh të aplikimeve. Sipas saj, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit depozitohen, në një vit, mesatarisht 1.400 deri në 1.600 diploma të huaja, të nivelit bachelor, master dhe doktoraturë, me një mesatare mbi 100 diploma në muaj.

“Ky shërbim elektronik tashmë ndryshon në mënyrë cilësore mënyrën e komunikimit për përfitimin e një shërbimi, redukton kohën e perfitimit të shërbimit dhe eleminon plotësisht zgjatjet burokratike dhe korrupsionin”, tha Nikolla.

Ministrja e Arsimit tha se ky shërbim elektronik, jo vetëm do të shmang kohën e dërgimit të dosjes me postë pranë MAS, siç ndodh aktualisht, por edhe kohën e pritjes apo ndërhyrjet për procedura me shpejtësi.

Nëpërmjet plotësimit të formularit online, qytetari shkurton kohën e aplikimit dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit vijon komunikimin me institucionet homologe paraprakisht.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja shtoi se me anë të aplikimin online, qytetari do ta ketë të qartë çdo procedurë, ku ka mbetur ajo dhe kush është përgjegjës për vonesën.

“Nëpërmjet një shërbimi të tillë, përfiton qytetari një shërbimin cilësor dhe transparent, por edhe Ministria e Arsimit e cila do të ketë një bazë të unifikuar të të gjithë personave që kanë njësuar diplomat”, tha Nikolla.

Përmes këtij portali mund të gjenerohen statistika që lidhen me numrin e personave të diplomuar jashtë vendit në drejtime të ndryshme, statistika të cilat ndikojne vendimarrjet në arsimin e lartë.

Përfitimi i një shërbimi të tillë tashmë në format elektronik, është hapi i parë i hedhur drejt ofrimit edhe të shërbimeve të tjera online, duke mundësuar në këtë mënyrë një komunikim efektiv dhe cilësor me qytetarët. Aktualisht, procedura e njohjes së diplomave është një proces i cili zgjat nga 45 ditë në disa muaj.