Ministry of Education and Sports

Ceremonia e Olimpiadave 2015

Ministria e Arsimit dhe Sportit zhvilloi sot, Ceremoninë përmbyllëse të Olimpiadave 2015-të, kur e pranishme ishte edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Ministrja Nikolla shprehu angazhimin e saj për të bërë gjithçka që jo vetëm nxënësit fitues, por edhe shumë të tjerë të mund të kenë një histori suksesi.

Ministrja i cilësoi nxënësit fitues dhe mësuesit e tyre si modele suksesi që duhen ndjekur e që padyshim duhen mbështetur.

“Edhe mua më rrahu zemra si ajo e çdo prindi që sot, ka gjithë arsyet e botës të ndihet i lumtur. Por më shumë më rreh zemra që duke filluar nga nesër, me gjithë mësuesit e Shqipërisë, të vijojmë më fort punën për cilësi në çdo orë mësimi të shkollave shqiptare”, tha Nikolla.

Kjo është hera e parë që Ministria e Arsimit dhe Sportit, organizon një ceremoni ku vlerëson fituesit e olimpiadave.

“Padyshim, këta nxënës që sot, na bëjnë krenarë në këtë sallë të vogël do të na bëjnë krenar nesër, për historitë e tyre të suksesit, që do të jenë histori suksesi të një Shqipërie evropiane”, u shpreh Nikolla.

Në Olimpiadat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, për vitin shkollor 2014-2015, rezultojnë  fitues në nivel kombëtar 217 nxënës nga të cilët:  Çmimi i parë – 33 nxënës; Çmimi i dytë- 54 nxënës; Çmimi i tretë- 130 nxënës.

Olimpiadat kanë qenë bashkëshoqëruese të sistemit arsimor parauniversitar ndër vite. Deri para vitit 2015-të ato janë zhvilluar vetëm në shkencat natyrore, ku vit pas vit  pjesëmarrja e nxënësve në to është rritur. 

Për vitin shkollor 2014-2015 u zhvilluan olimpiadat në shkencat natyrore dhe shoqërore ku në nivel  Drejtorie Arsimore morën pjesë  4852 nxënës, sipas profileve: matematikë, fizikë, kimi, biologji, informatikë, letërsi, histori, gjeografi.

Krahas olimpiadave edhe në lëndë shoqërore, dhe numrit të madh të nxënësve pjesëmarrës, këtë vit procesi i administrimit dhe menaxhimit të tyre  u ngrit në standardet e testimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Për të përçuar më tej këtë traditë  dhe për të rritur interesin dhe pjesëmarrjen e nxënësve në olimpiadat MAS i ka përfshirë ato në treguesit e kartës së performancës së shkollës dhe ka mbështetur fituesit në aktivitetet ndërkombëtare.

Gjatë këtij viti, në Olimpiadën Ballkanike  për të rritur , të zhvilluar në Greqi, u morën dy Medalje Bronci nga nxënësit Alboreno Voci dhe Gledis Kallço.

Nxënës nga Shqipëria, ndër vite, kanë marrë pjesë në olimpiada ndërkombëtare apo ballkanike ku janë shpallur edhe fitues të Medaljeve të Argjendit e të Broncit.