Ministry of Education and Sports

Matura Shtetërore, provimi i gjuhës së huaj

Ditën e nesërme, 23 maj, zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore, ai i gjuhës së huaj, për 46070 maturantë nga i gjithë vendi.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj deklaroi sot, në konferencë për shtyp se Ministria e Arsimit dhe Sportit, për këtë provim, sikurse për të gjithë provimet e Maturës Shtetërore 2015, ka marrë të gjitha masat e nevojshme infrastrukturore, logjistike dhe mbështetëse, me qëllim garantimin e një procesi tërësisht normal dhe në përputhje me Rregulloren e Maturë Shtetërore 2015.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, do të garantojnë sigurinë dhe normalitetin, në të gjitha qendrat e provimeve, në vend. Kurse Posta Shqiptare do të garantojë transportimin e materialeve të provimit, në të gjitha drejtoritë dhe zyrat arsimore.  

Datat e provime të Maturës Shtetërore janë si më poshtë:

23 Maj –Gjuha e huaj

29 Maj- Gjuha shqipe dhe letërsi

9 Qershor- Matematika

19 Qershor – Provimet me zgjedhje

Si provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Testi për secilin provim të detyruar përmban 25 pyetje, 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim. Maksimalisht janë 50 pikë. Maturanti nuk quhet kalues nëse merr me pak se 20% të pikëve.

 

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Zëvendësministres Nora Malaj          

 

Të dashur maturantë!

Data 23 maj 2015 shënon fillimin e sesionit të parë të provimeve të Maturës Shtetërore 2015.

Nesër, 46070 maturantë nga i gjithë vendi do t’i nënshtrohen provimit të gjuhës së huaj, D3: anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht. Testet janë hartuar nga specialistë të gjuhës në Agjencinë Kombëtare të Provimeve dhe në përputhje të plotë me niveli B1.  Çdo pyetje në test do të vlerësojë njohuritë dhe kompetencat që maturantët zotërojnë në gjuhën e huaj të parë.

 

Ky proces do të zhvillohet nën masa të rrepta monitorimi nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe DAR/ZA.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, për këtë provim, sikurse për të gjithë provimet e Maturës Shtetërore ka marrë të gjitha masat e nevojshme infrastrukturore, logjistike dhe mbështetëse, me qëllim garantimin e një procesi tërësisht normal dhe në përputhje me Rregulloren e Maturë Shtetërore 2015

Dëshiroj të falënderoj:

Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit, të cilët do të garantojnë sigurinë dhe normalitetin, në të gjitha qendrat e provimeve, në vend. 
 
Postën Shqiptare, e cila në këtë Maturë do të garantojë transportimin e materialeve të provimit, në të gjitha drejtoritë dhe zyrat tona arsimore.  

Të gjithë institucionet e MAS-it dhe mësuesit që do të përfshihen në realizimin e këtyre provimeve.  

Maturantët nesër duhet të kenë me vete kartën origjinale të identitetit. Nuk lejohet mbajtja e celularëve në mjedisin e provimit. Nëse një maturant do të kapet me celular ai/ajo automatikisht do të përjashtohet nga procesi i provimit.

Si provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Testi për secilin provim të detyruar përmban 25 pyetje, 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim. Maksimalisht janë 50 pikë. Maturanti nuk quhet kalues nëse merr me pak se 20% të pikëve.

Rezultatet e provimit do të shpallen brenda dy javëve.

Datat e tjera të provimeve do të jenë:

29 maj gjuha shqipe dhe letërsia

9 qershor matematika

19 qershor lëndët me zgjedhje.

Nga maturantët kërkohet qetësi dhe vëmendjen gjatë procesit të provimit si dhe respektim i plotë i rregullave të këtij procesi.

U bëjmë thirrje të gjithë maturantëve, mësuesve dhe prindërve që të angazhohen në këtë proces, duke zbatuar me rigorozitet të gjitha rregullat e Rregullores së Maturës Shtetërore. 

Ministria e Arsimit dhe Sportit ju garanton edhe këtë vit një proces të mirë administruar me standarde ashtu si edhe vitin që shkoi.

Ju uroj të gjithëve suksese!