Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla prezanton Ligjin e ri të Arsimit të Lartë në Komisionin e Edukimit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla prezantoi sot, në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publike, Ligjin e ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja tha se projektligji është produkt i një procesi unik në historinë e politik-bërjes në arsimin e lartë, pasi ka ardhur pas një konsultimi të gjatë me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit.

Ministrja renditi disa prej ndryshimeve thelbësore që Ligj i ri i Arsimit të Lartë sjell, siç është edhe skema e financimit. Sipas Ministres Nikolla, ligji përfshin konceptin modern të financimit  me bazë performancën.

“Shteti do të jetë gjithnjë e më shumë financues i arsimit të lartë, por këto financa taksat e qytetarëve shqiptare, duhet të kthehen mbrapsht duke prodhuar maksimumin e vlerës. Një skemë  moderne financimi, që  priret nga performanca, do t’i shtyjë universitetet të modernizohen, të përmirësojnë shërbimin e ofruar ndaj studentëve, gjenerimin e kërkimit shkencor, bashkëpunim ndërkombëtar, etj. Në thelb, universitetet do të mund të prodhojnë arsim të lartë më cilësor”, tha Ministrja.

Sipas saj, Ligji i ri i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor e bën më të drejtë financimin publik për studentët duke ju gjendur pranë studentëve në nevojë.

“Krijohet një fond i posaçëm bursash për të gjitha kategoritë në pamundësi financiarë që nuk ndjekin dot studimet. Krijohet një fond bursash për studentët që ndjekin degët me prioritet kombëtar dhe mbështeten studentët me rezultate ekselente”, tha Ministrja.

Projektligji rrit ndjeshëm autonominë universitare duke deleguar drejt universiteteve publike një sër vendimmarrjesh të rëndësishme që sot, i kryen Ministria e Arsimit dhe Sportit.

“Ligji i ri adreson tek universitetet vendimmarrje të tilla të rëndësishme, si numri i studentëve që do të pranohen, kriteret e përzgjedhjes, tarifat e studimit, numrin e stafit akademik. Ky është kantieri i parë i autonomisë universitare, si pjesë e besimit tonë se universitetet, në balancën mes lirisë së plotë dhe përgjegjshmërisë ndaj publikut, mund të ofrojnë cilësi më të mirë”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se projektligji modernizon qeverisjen e brendshme universitare duke i dhënë autorit të qartë Senatit Akademik mbi qeverisjen akademike të institucionit si dhe ja mbështet punën me një strukturë të re administrative në shërbim të misionit të IAL-ve.

Projektligji sjell standardizim në gjithë hapësirën dhe mes gjithë aktorëve në sektorin e arsimit të lartë, duke u fokusuar dhe duke ju përmbajtur parimit një kut një masë.

“Do të ketë institucione që do të trajtohen në mënyrë të barabartë, referuar standardeve akademike, standardeve të cilësisë. Një sistem qeverisësh, një set standardesh propozuar në një kod cilësi, një sistem sigurimi të cilësisë dhe një sistem i unifikuar i kontrollit të ligjshmërisë. Ky është seti për standardet e gjithë hapësirës dhe aktorëve në IAL-të”, deklaroi Nikolla.

Një risi tjetër që sjell ky projektligj është krijimi i mundësive të reja për diversifikimin e financave.

“E thënë që në krye të herës, qartë dhe prerë. Jo, ky ligj nuk çon para publike në Institucionet e Arsimit të Lartë privat. E kundërta është e vërtetë. Para publike dhe private drejt IAL-ve publike. Krijojmë kështu mundësinë për transformimin e IAL-ve në Institucione Publike të Pavarura, si ente publike moderne që ofrojnë një shërbim publik në lirinë më të madhe sipas modeleve më të suksesshme ndërkombëtare”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se një tjetër risi që sjell ky projektligji është modernizimi i kërkimit shkencor, i cili kthehet në kriter të rëndësishëm të financimit të universiteteve, duke mundësuar që departamentet, Profesorati, pedagogët të jenë më aktiv për t’i kthyer universitetet në qendra të zhvillimit dhe të inovacionit.

“Qartësisht ridimensionojmë tre rolet e shtetit në arsimin e lartë. Rolin rregullator, si vendosës i standardeve dhe rregullave të funksionimit, por  edhe garantues i funksionimit të sistemit dhe cilësisë. Rolin e financuesit të arsimit të lartë duke financuar institucionet ofruese të shërbimit, por edhe duke mbështetur përfituesit. Rolin e drejtpërdrejtë të ofruesit të shërbimit përmes IAL-ve publike”, tha Lindita Nikolla.

Ky projektligj ridimensionon agjencitë ekzistuese duke i afruar me modelet më të mira evropiane dhe duke modernizuar shërbimet që ato ofrojnë në sistemin e arsimit të lartë.

Në prezantimin e saj, Ministrja përmendi edhe opinionet e dy profesorëve të huaj për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë.

Eksperti britanik për çështje të arsimit të lartë, Profesor Steve Bristow: “Projektligji i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor paraqet një përmirësim të dukshëm të atij paraardhës. Jam i shqetësuar për nivelin e imtësisë së detajeve që rregullohen, duke gjykuar që disa elemente mund të ishin lënë për t’u rregulluar me akte nënligjore”

Prof. Lorenzo Ornaghi, Rektor i Universitetit Katolik të Milanos (2002-2012), Ministër i Trashëgimisë dhe Kulturës (2011-2013):“Reforma në arsimin e lartë ka, sipas mendimit tim, këto karakteristika pozitive: Dispozitat janë shkruar me qartësi dhe saktësi. Rruga e zgjedhur – ajo e rinovimit të sistemit universitar, duke parë drejt së ardhmes – është "politikisht" e vështirë. Por unë personalisht mendoj se pavarësisht nga vështirësitë, kjo rrugë është më e preferueshme, se sa thjesht "riorganizimi" i sistemit ekzistues. Në qoftë se ju shikoni zhvillimin e mundshëm të Shqipërisë dhe funksionimin e saj evropiane, si një pjesë të konsiderueshme e Ballkanit, kjo reformë është e domosdoshme”

PROJEKTLIGJI I ARSIMIT TË LARTË DHE KËRKIMIT SHKENCOR