Ministry of Education and Sports

Fillimi i punimeve për Parkun Olimpik të Tiranës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot, e pranishme në fillimin e punimeve të Parkut Olimpik të Tiranës, një projekt ambicioz për sportin shqiptar, më një investim që kap vlerën e 6 milionë USD, financuar plotësisht me fonde të buxhetit të shtetit.

“Parku Olimpik” do të jetë shtëpia e re për të gjithë sportistët e të gjitha sporteve, nxënësve të shkollave e gjithkujt që ka dëshirë të bëjë sport. Ky investim, aty ku sot ndodhet kompleksi “Dinamo”, do të mundësojë një qendër të re sportive, e ndërtuar  sipas të gjitha parametrave të një kompleksi modern.

Gjatë prezantimit të Parkut Olimpik, Ministrja Nikolla tha se projekti është domosdoshmëri për përmirësimin e kushteve të stërvitjes të sportisteve të të gjitha llojeve të sportit.

“Projekti për ndërtimin e Qendrës Kombëtare Sportive “Parku Olimpik i Tiranës”, nuk është dhuratë, por një premtim i mbajtur i Qeverisë Rama, për të kthyer realisht mbrapsht investimin e sportistëve, të rinjve dhe të rejave e Tiranës dhe për të mundësuar një jetë të shëndetshme përmes sportit dhe për ta kthyer atë në një shtyllë të rëndësishme të edukimit”, tha Nikolla.

Kompleksi Sportiv Dinamo, në administrimin e Agjencisë të Shërbimit të Sporteve, u ndërtuar për klubin “Dinamo” në vitin 1989 e sot ky kompleks është plotësisht jashtë funksioni dhe tejet i amortizuar. Nuk është ndërhyrë asnjëherë në gjithë këto vite për ta ristrukturuar.

Ish-kuzhina dhe restoranti i qendrës së sportistëve janë kthyer në hapësira magazinash. Lavanderia, magazinat, etj, janë kthyer në zyra për Mjekësinë Sportive dhe në palestra të improvizuara e aspak të përshtatshme për sportistët.

Ndërkohë që godina e palestrës, që prej ndërtimit të saj, nuk është shfrytëzuar as edhe një ditë pasi ka mbetur e pa papërfunduar nga ana ndërtimore dhe gjendet prej 25 vitesh pa mirëmbajtje fizike.

“Kompleksi sportiv u konceptua për të pasur dy fusha futbolli, por në fakt sot ka vetëm një të tillë dhe ajo jo sipas standardeve të duhura.  Dy fushat e hapura të basketbollit në qendër të kompleksit janë jofunksionale për shkak të degradimit fizik të tyre nga koha e përdorimit 25 vjeçar, pa asnjë investim. Për të mos folur për hapësirat e përbashkëta, kryesisht të konceptuara si sipërfaqe të gjelbërta e që janë aktualisht të degraduara fizikisht”, u shpreh Nikolla.

Ministrja e Sportit tha se vetëm në 10 muajt e parë të qeverisjes janë dedikuar 10 milionë Euro për sportin, janë financuar 44 terren sportive në gjithë vendin, janë shlyer të gjitha borxhet për sportistët si dhe është prezantuar statusi i ri për sportistët elitar.

“Parku Olimpik i Tiranës” do të ofrojë:

Një pistë atletike me parametra olimpike;

Një fushë futbolli me parametra të UEFA-s, si fushë stërvitore për ekipet kombëtare të të gjitha moshave;

Sallën e lojërave me dorë në një mini-pallat sporti për stërvitje të ekipeve kombëtare të volejbollit dhe basketbollit, si dhe për ndeshje e aktivitete kombëtare në këto sporte e sporte të tjera;

Godinën e sporteve ujore, që  përfshin një pishinë dhe një trampolinë të standardeve olimpike;

Qendrën e grumbullimit të sportistëve me parametra bashkëkohore e me të gjitha funksionet e shërbimet e nevojshme;

Godinën e të gjithë administratës të sportit shqiptar, si Federatat e Sporteve të ndryshme, Komitetin Olimpik Shqiptar, Agjencia e Shërbimit të Sporteve dhe Mjekësia Sportive;

Palestrën e  peshëngritjes dhe atë të mundjes.