Ministry of Education and Sports

Shkollat e gjelbra

Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi sot, gjetjet e studimit “Shkollat e gjelbra dhe përdorimi efektiv i energjisë”, realizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (SHBA), sipas të cilit, Shqipëria ka mundësi të mira për të transformuar sistemin arsimor, përmes përdorimit të teknologjive “të gjelbra” bashkëkohore.

Gjatë prezantimit të projekti të ri të Qeverisë, për shkollat e gjelbra, Ministrja Lindita Nikolla tha se projekti pilot i realizuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë në 10 shkolla të vendit, ka dhënë rezultate befasuese si: ulja e humbjeve të energjisë si pasojë e termoizolimit në masën 50%; ulja e humbjeve nga dritaret në masën 45 %; kursimi i energjisë si pasojë e ndriçimit efiçent në masën 80 %; rritja e fluksit të ndriçimit në masën 70 %; përdorimi i panelit diellor do të kursejë energjinë elektrike në masën 60 %.

“Ne jemi të gatshëm të shkojmë edhe më tej duke projektuar një vizion të ri për shkollat, për t’ju dhënë fëmijëve tanë mundësi të mësojnë në shkolla të shek. XXI, shkolla të gjelbra që përdorin me efiçens energjinë dhe që krijojnë një mjedis të shëndetshëm e modern për nxënësin. Kjo do të realizohet duke mundësuar ndërtimin e shkollave të reja të gjelbra që përdorin me efiçens energjinë, apo rikonstruksionin për t’i shndërruar në të tilla shkollat ekzistuese. Kjo ishte arsyeja që ne kërkuam një studim prestigjioz në nivel makro”, u shpeh Nikolla.

Projekti pilotë për efiçencën e energjisë u implementua në 10 shkolla të vendit nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në rrethin e Lushnjes dhe qarkun e Lezhës, në periudhën 22 korrik 2014-22 janar 2015, me një vlerë totale, 1.6 milion Euro.

“Nëpërmjet institutit të Menaxhimit Lindje Perëndim, Ministria e Arsimit kërkoi dhe një studim prestigjioz  që prezantohet sot nga Z. Gary Dirks, Drejtor i Institutit Global për Qëndrueshmërinë Julie Ann Wrigley, Universiteti Shtetëror i Arizonës, SHBA. Është një studim i cili vjen si një kërkesë legjitime e vendit tonë për zhvillim ekonomik, shëndetësore, mjedisor dhe kulturorë. Pasi, ne besojmë, se është ky investimi në drejtimin e duhur, çka projekton të ardhmen evropiane të fëmijëve shqiptar”, tha Nikolla.

I pranishëm në akivitet ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili lançoi projektin e ri të Qeverisë për 1000 klasa të gjelbra të cilat do të përmirësojnë e infrastrukturës arsimore. 

Studiuesit e USHA kanë bërë vlerësimin e mundësive, sfidave, ndikimit dhe shpenzimeve për “gjelbërimin” e mbi 3.300 objekteve shkollore në Shqipëri dhe propozuan një seri ndryshimesh në disa nivele për të përmirësuar efikasitetin e përdorimit të energjisë, cilësinë e ajrit, mjediset e brendshme dhe të jashtme, etj.

Raporti i studimit del në përfundime se këto ndryshimet në shkolla duke përdorur teknologjitë e “gjelbra” do të sjellin: përmirësim të shëndetit, sigurinë dhe kushtet në shkollë, do të sigurojnë energji elektrike të pandërprerë, do të krijojnë më shumë se 220 mijë vende punë dhe do të rrisin PBB me 880 milion dollarë.

Ndërsa projekti pilot, tanimë i aplikuar në 10 shkolla të vendit nga Ministria e Energjitikës dhe Industrisë, është rezultat i bashkëpunimit kufitar të vendeve IPA të zonës së Adriatikut. Ai ka për qellim të sigurojë një nivel të qëndrueshëm të energjisë si në prodhim ashtu dhe në konsum të vendeve të zonës se Adriatikut, ku benë pjese edhe vendi ynë.