Ministry of Education and Sports

PANAIRI I IDEVE, CEREMONIA E ÇMIMEVE

Mbi 45 shkolla të ardhura nga 13 Drejtoritë Arsimore Rajonale në vend prezantuan projekt-idetë e tyre për zhvillimin e shkollës, gjatë “Panairit të ideve-Shkolla si Qendër Komunitare”, të çelur dje në Muzeun Historik Kombëtar.

Në prani të Kryeministrit të vendit, Edi Rama, anëtarëve të Kabinetit të Ministrave, partnerëve të MAS e donatorëve të ndryshëm, u ndanë çmimet për projektet më të mira.

Juria e panairit me përfaqësues të MAS dhe partnerëve, vlerësoi si projekt-idetë më të mira:

Shkolla “Muhamer Janina”, Berat për projektin “E-radio”

Shkolla “Bajram Curri”,  Durrës për projektin “Mjedise të gjelbra, hapësira sportive dhe reaktive”

Shkolla “Vasil Sota”, Fier për projektin e shkollës verore dhe panairit artizanal “Partneriteti është jeta dhe shpirti i shkollës”

Shkolla “A.Z.Çajupi”, Tiranë për projektin “Mjedisi i shkollës në shërbim të komunitetit”

 

Kriteret e vlerësimit të këtyre projekteve ishin pjesëmarrja aktive e fëmijëve dhe të rinjve, angazhimi i komunitetit, negocim përmes projekteve, zbatueshmëria e projektit dhe promovimi gjithëpërfshirës.

Gjatë fjalës së saj në ceremoninë e çmimeve, Ministrja Nikolla tha se në vitin e ri shkollor do të rritet edhe më shumë numri i shkollave që do funksionojnë si qendra komunitare, nga 180 që janë sot.

Kryeministri Rama, shprehu bindjen se projekti i shkollës, qendër komunitare është projekti i të ardhmes dhe transformimi i mjedisit të shkollës në një mjedis, jo vetëm mësimi, por dhe edukimi, ku që në hapat e parë të fillojë dhe të kultivohet kultura e projektit.

“Panairi i ideve” u organizua nga  Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me partnerët “Unicef”, “Save the Children”, “World Vision” dhe donatorët  “Alpha Bank”, “Universiteti Marin Barleti”.

Përfaqësues të biznesit ishit ftuar në panair me qëllim njohjen me projekt-idetë e nxënësve dhe bashkëpunimin për realizimin e këtyre ideve, si një domosdoshmëri e mëtejshme për përmirësimin e shkollave në vend.

Nxënësit e shkollave prezantuan krahas projekteve edhe aktivitetet dhe veprimtaritë që ata kanë realizuar në kuadër të projektit “Shkolla si Qendër Komunitare”.

Shkolla si Qendër Komunitare është vizioni i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për një shkollë të hapur ndaj komunitetit që synon zhvillimin cilësor të fëmijëve dhe të rinjve, si qytetarë të gatshëm dhe të aftë për të kontribuar në komunitetet e tyre.

Standardet e miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për Shkollën si Qendër Komunitare janë: Sigurimi i arsimit cilësor për çdo nxënës; Sigurimi i mirëqenies sociale, emocionale, shëndetësore të nxënësve; Angazhimi dhe zhvillimi i komunitetit; Vendimmarrja e përbashkët; Gjithëpërfshirja dhe respektimi i diversitetit.