Ministry of Education and Sports

Platforma e Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim, takimi i katërt në Shqipëri

Platforma e Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim (WB PET), iniciativë e Bashkimit Evropian për të zgjeruar bashkëpunim rajonal në fushën e arsim do të zhvillojë takimin e radhës në Vlorë, në datat 2 dhe 3 korrik.

Ministrat e arsimit nga: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia kanë nisur paraditen e sotme takimet bilaterale. 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Arsimin dhe Kulturën në Komisionin Evropian, Xavier Prats Monne,  të cilin e njohu me reformat e qeverisë për përmirësimin e cilësisë në arsim.

Në fjalën e saj, Ministrja theksoi reformën në arsimin e lartë duke përmendur kontrollin e ligjshmërisë, që për herë të parë u realizua në çdo Institucion të Arsimit të Lartë, mbylljen e IAL-ve private e publike që nuk plotësonin kushtet e ligjshmërisë, procesin e draftimit të Ligjit të ri të Arsimit të Lartë, ku u përfshinë gjithë grupet e interesit si dhe akreditimin që është në proces, nga një agjenci britanike, për të gjitha IAL-të në vend.

Gjatë takimit me Z.Monne, Ministrja Nikolla kërkoi bashkëpunim dhe asistencë nga Komisioni Evropian, për konkretizimin e mëtejshëm të reformave në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Ndërkohë, nga ana e tij, Z.Monne vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në Ballkan, në lidhje me reformat arsimore si dhe rolin dhe fokusin e veçantë që Qeveria Shqiptare po tregon për arsimin.

Qëllimi i Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim është të ndihmojë këto vende me reformat e arsimit dhe trajnimit, si dhe të risë bashkëpunimin rajonal. Prioritet aktual i këtij takimi të katërt mes ministrave të Ballkanit është arsimi i lartë.

Në orën 14:30 në Hotel Vlora International, do të bëhet hapja e punimeve të Ministerialit.
Takimet vjetore, kryesohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit dhe Kulturës pranë Komisionit Evropian, me pjesëmarrjen e ministrave të arsimit të secilit vend për të identifikuar fushat ku nevojitet bashkëpunim ose asistencë rajonale. 

Takimi i parë i WB PET u zhvilluar në 2012 në Danilovgrad, Mal të Zi, ku u vendos nga të gjithë ministrat e rajonit se arsimi i lartë është prioriteti numër një, i ndjekur edhe nga trajnimi i mësimdhënësve. Takimet e radhës janë zhvilluar në Torino (2013), Bruksel (2014) dhe takimi i katërt do të zhvillohet në Shqipëri