Ministry of Education and Sports

I mbarë dhe i bardhë ky vit i ri shkollor

Në nisje të ditës së parë të mësimit, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, së bashku me Kryeministrin Rama, ishin mes nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë. Kjo shkollë, e klasifikuar ndër vite me performancë dhe rezultate nga më të mirat në vend, është pjesë avangardë e një transformimi rrënjësor të shkollës sonë.

120 klasa inteligjente janë çelur këtë vit në shkollat e mesme të vendit, tre nga cilat në gjimnazin “Sami Frashëri”. Kryeministri dhe Ministrja u ndalën në klasën e 10-të, ku po zhvillohej lënda e matematikës dhe për herë të parë i gjithë procesi mësimor është digjital. 

Jo rastësisht zgjodhëm shkollën “Sami Frashëri”, një nga shkollat historikisht pararojë në Shqipëri, që e fillon këtë vit me tre klasa inteligjente nga 120 klasat “inteligjente” që janë çelur në gjimnazet e vendit, me objektivin që deri në çeljen e vitit të ri shkollor 2018-2019 të gjitha klasat e Shqipërisë të jenë të tilla.

Nga oborri i kësaj shkolle besoj se s’ka vend më të përshtatshëm për t’ju uruar një vit të ri të mbarë të gjithë nxënësve dhe të gjithë prindërve, që shohin me shumë dhembshuri dhe me shumë ëndrra e shpresa fëmijët e tyre.”  – u shpreh Kryeministri.

Nga ana e saj, ministrja e arsimit Lindita Nikolla duke i’u uruar mbarësi dhe suksese nxënësve dhe mësuesve për nisjen e vitit të ri shkollor, shpjegoi se ky vit fillon edhe me 6 kurrikula digjitale, nga 3 të parashikuara: “Premtimi ynë ishte që të mundësonim tre kurrikula digjitale. Kemi mundësuar 6 që këtë vit shkollor.” 

 

“Eshtë një mënyrë krejt e re komunikimi. Ju do të jeni aktorë në të gjithë orën e mësimit edhe kur shpjegon mësuesja, por nga ana tjetër unë si zyshë matematike ju them që secili prej jush brenda aftësive të veta pa u kuptuar nga shoku apo shoqja e bankës të këtë mundësi të zhvillohet dhe nga ana tjetër keni mundësi që edhe nga shtëpia t’i drejtoni pyetje mësueses, të komunikoni me njëri-tjetrin për zgjidhjen e shumë problemeve. Por ajo që është shumë e rëndësishme është që të monitoroni çdo orë mësimi, edhe aftësitë e mësuesve sepse unë jam e bindur që ka ndër ju që janë shumë përpara, përsa i përket teknologjisë së mësuesit, por dhe mësuesit po trajnohen fort në mënyrë që të vijnë edhe ata avangardë jo vetëm në cilësinë e koncepteve, por edhe në përdorimin e teknologjisë dhe, mësuesja juaj është një nga mësueset jo vetëm të trajnuara, por dhe nga më cilësoret e mësimdhënies së matematikës. Kështu që ju uroj suksese dhe forca” – u shpreh Ministrja. 

 

Një tjetër risi transformuese e këtij viti shkollor janë tekstet shkollore me burim tre nga institucionet arsimore të cilësisë më të lartë në Europë, "Pearson", "Cambridge" dhe "Oxford". Një revolucion e cilësoi Kryeministri, që do të shtrihet në të gjithë ciklin shkollor në tre vitet në vijim.

 “Për transformimin e të gjithë sistemit tonë arsimor është në proces një kantier i madh reformash, nga të cilat kanë filluar përfitimet e para për nxënësit. Të mos harrojmë që ky vit fillon edhe me produktet e para të një revolucioni të vërtetë që është bërë me tekstet shkollore. Fëmijët e klasës së I-rë dhe të klasës së VI-të do të kenë në dispozicion tekste nga tre burime të mirënjohura të cilësisë së librave arsimorë në Europë, "Pearson", "Cambridge" dhe "Oxford". Gjë që do të ndodhë edhe në tre vitet në vijim, duke plotësuar ciklin për të gjithë.”