Ministry of Education and Sports

Deklaratë për shtyp mbi ngjarjen e ndodhur në shkollën "Asim Vokshi", Bajram Curri

Sot më datë 01.10.2015 në oborrin e Gjimnazit "Asim Vokshi" Bajram Curri, ndodhi një akt i papranueshëm dhune. Dy nxënës të klasës së XII-të, ndërkohë që luanin gjatë pushimit në oborrin e shkollës, janë konfliktuar deri në ndeshje fizike mes tyre, ku njëri prej nxënësve ka mbetur i plagosur si pasojë e goditjes me armë të ftohtë nga nxënësi tjetër. Maturanti i plagosur është dërguar menjëherë në spital ku iu dha ndihma e parë e më pas u transportua me helikopter drejt Tiranës. Sipas informacionit, ekipi i mjekëve që realizojë ndërhyrjen siguron se, nxënësi në fjalë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, pasi mori informacionin nga Zyra Arsimore Tropojë ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritet, për t’u siguruar që janë marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e jetës së nxënësit. Ndërkohë, me urdhër të Ministres së Arsimit, është nisur menjëherë grupi i inspektimit drejt qytetit të Bajram Currit për të verifikuar ngjarjen e cila ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës, si edhe për të marrë masat e nevojshme ndaj përgjegjësve.
MAS bën më dije të gjithë opinion publik, se ka vendosur që një nga prioritet e saj në drejtim të sigurimit të cilësisë së dijes, përmirësimit të jetës dhe garantimit të formimit të një personaliteti të shëndoshë të fëmijëve shqiptar në institucionet arsimore parauniversitare për vitin e ri shkollor 2015-2016, të jetë zhvillimi i një fushate kombëtare për parandalimin e dhunës në shkolla. 
Ky plan veprimi është hartuar paraprakisht me Ministritë e linjës dhe në bashkëpunim me përfaqësues të shoqërisë civile. Në ditët në vijim, ky plan veprimi, do t’i përcillet të gjitha shkollave të vendit për t’u kthyer në plan kombëtar veprimi “Stop Dhunës në Shkollë”.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, nuk toleron asnjë veprim që cënon jo vetëm formimin e personalitetit të brezave të rinj, por mbi të gjitha që ndesh në shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijëve dhe të njeriut. Ndaj, viti i ri shkollor 2015-2016, është cilësuar nga MAS si viti i luftës pa kompromis kundër dhunës në shkollë.