Ministry of Education and Sports

Sokrates, një tjetër projekt ambicioz për digjitalizimin e sistemit arsimor

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Bit Media prezantuan sot, sistemin e ri Sokrates i cili do të mundësojë bazën e plotë të të dhënave në sistemin arsimor parauniversitar, publik e privat në vend.

Sokrates ofron funksionalitete të reja në drejtim të administrimit të të dhënave të shkollave në nivel rajonal. Informacioni do të jetë i aksesueshëm lehtë dhe shpejtë për një menaxhim modern të shkollës. 

E pranishme në prezantimin e këtij sistemi ishte dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e cila shprehu vullnetin e plotë për të realizuar këtë instrument të domosdoshëm për gjenerimin e të dhënave në sistemin arsimor, pas disa përpjekjeve që më parë kanë rezultuar të pasuksesshme.

Krahas të gjitha lehtësirave që do të mundësojë ky sistem, ndër të tjera, Ministrja Nikolla vlerësoi faktin se Sokrates i jep administratës drejtuese të shkollave gjithë atributet për një vendimmarrje transparente të shpërndarjes së mësuesve të bazuar në numër nxënësish në nivel rajonal si dhe ne kualifikimet qe ata mbartin.

Një aspekt i rëndësishëm i këtij sistemi është dhe amza digjitale, që i jep mundësi çdo nxënësi të përfitojë shërbime që lidhen drejtpërdrejtë me sistemin arsimor si, marrja e dëftesave vjetore, lista e notave etj. 3000 individë/administrator të këtij sistemi në nivel shkollë, do të trajtohen që me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm të përdorin dhe shfrytëzojnë  funksionalitet që ky sistem ofron.

Ky projekt i ri vjen në vazhdën e realizimit të objektivit të qeverisë për digjitalizimin e sistemit arsimor, pas implementimit me sukses të sistemit të mësimit digjital e-learning.

Reforma e digjitalizimit të sistemit arsimor parauniversitar është e mbështetur në  eksperiencat më të mira në drejtim të nxitjes të shoqërisë së dijes dhe inovacionit. Sistemi Sokrates përfaqëson një mjet efikas për kërkim dhe investigim analitik në drejtim të menaxhimit, planifikimit dhe vlerësimit të sistemit arsimor në të gjitha nivelet.

Falë partneritetit me qeverinë austriake, MAS po shënon një realitet krejt të ri që bën bashkë internetin dhe dijen duke krijuar një cilësi të re në shkollat e vendit.