Ministry of Education and Sports

Bashkëpunimi me Junior Achievement, një model suksesi

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot, e pranishme në konferencën e organizuar në kuadër të zbatimit të programit të Junior Achievement në sistemin arsimor parauniversitar, si një investimi i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF).

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Nikolla shprehu mirënjohjen ndaj Junior Achievement për gjithë kontributin që kanë dhënë për t’i afruar gjithnjë e më shumë nxënësit me realitetin e tregut të punës, duke kultivuar tek ata shpirtin e sipërmarrjes.

“Përshëndes çmimet dhe vlerësimet që keni marrë nga Presidenti dhe Kryeministri, por lejomëni t’ju them se në çdo shkollë të Shqipërisë ju keni një çmim të posaçëm për  gjithçka që keni bërë dhe që së bashku do vazhdojmë të realizojmë për të mundësuar në gjithë sistemin arsimor, që nga parashkollori dhe deri në arsimin e lartë, kontribute të rëndësishme që edukojnë të rinjtë me shprehi të sipërmarrjes dhe aftësi për të qenë të suksesshëm në tregun e punës”, tha Nikolla.

Ministrja u shpreh se Junior Achievement ka qenë një katalizator shumë i mirë për t’i orientuar kurrikulat dhe programet e shkollave drejt asaj çfarë kërkon tregu i punës, duke e bërë biznesin pjesë të rëndësishme të reformave në arsim.  Gjithashtu, Nikolla shprehu gjithë vendosmërinë e saj që ky model suksesi të çohet në çdo qelizë të shkollës shqiptare.

“Së bashku firmosëm një marrëveshje për përfshirjen në lëndën e ‘Qytetarisë’ kapituj të veçantë për sipërmarrjen, por në fakt kjo marrëveshje është përkthyer në një agjendë pune për gjithë shkollat shqiptare”, tha Ministrja Lindita Nikolla.

Këtë vit të ri shkollor 2015-2016, Junior Achievement shtrihet në më shumë se 170 shkolla të mesme dhe paralelisht në të gjitha shkollat e arsimit bazë duke përfshirë mbi 110,000 fëmijë e nxënës. Programi i Junior Achievement ndihmon në përsosmërinë dhe përvetësimin e disa kompetencave kyçe, të cilat u vlejnë të rinjve në jetë, duke i parapërgatitur ata për të pasur sukses në tregun e punës.

Konferenca e organizuar në Hotel Sheraton kishte në fokus zbatimin e programit edukativ për sipërmarrjen, me përmasa dhe shtrirje mbarëkombëtare, çka përbën një fenomen të veçantë në historikun e Junior Achievement në Evropë dhe më gjerë.