Ministry of Education and Sports

 

Nisur nga lajmi i përcjell në televizionin “News 24”, i ditës së martë datë 27.10.2015, në lidhje me vizitën e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në Qarkun e Dibrës sqarojmë publikun si më poshtë vijon, se:

Ditën e martë, datë 27.10.2015, Ministrja e Arsimit, ka qenë e pranishme në Qarkun e Dibrës, për të zhvilluar një sërë takimesh me strukturat e Partisë Socialiste të këtij qarku, si dhe me drejtues të Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut, ku është interesuar personalisht edhe për rastin e denoncuar në televizionin “News 24”.

Sqarojmë se, korrespondenti i televizionit të “News 24” ka pyetur fillimisht ministren Nikolla në lidhje me takimet e saj me strukturat. Pasi ministrja Nikolla iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarit, ka vazhduar me angazhimet e saj me qytetarët, ndërkohë që në lëvizje korrespondenti z. Doçi, e ka pyetur sërish ministren për rastin e denoncuar nga familja Koçi, ku ministrja Nikolla i është përgjigjur se të gjithë fëmijët janë në shkollë. Ndërkohë, personi që ka mbuluar me dorë objektivin e kamerës së operatorit, nuk është shoqëruesi i ministres Nikolla, siç përcillet në lajm, pasi titullarja e MAS nuk ka një shoqërues.

Në të njëjtën kohë, sqarojmë opinionin se, rasti i denoncuar në “News 24” për 5 fëmijët e familjes Koçi nga fshati Zeqan, se i pamundësohet vajta e tyre në shkollë pasi pretendohet nga ana e tyre për ngacmim seksual për një prej vajzave të familjes, është marrë me seriozitet maksimal nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, menjëherë pas marrjes së këtij informacioni.

Për këtë rast, edhe pse personi që akuzohet nga familja Koçi, nuk është mësues i shkollës në Lubalesh, por një bashkëfshatar, Zyra Arsimore Bulqizë ka kryer denoncimin e rastit pranë organeve të rendit. Nga raportimet paraprake, si nga ZA Bulqizë, kryeplakut të fshatit, stafit pedagogjik dhe bordit të prindërve të shkollës vlerësohet se në ambientet e shkollës nuk është konstatuar asnjë problematik në lidhje me akuzën e ngacmimit seksual. Përkundrazi, nga ana e këtyre të fundit pretendohet se rasti është i stisur si pasojë e një konflikti të mëparshëm mes dy familjeve, të cilat janë në proces gjyqësor mes tyre.

Gjithsesi, për rastin në fjalë, do të shprehen organet kompetente të cilat janë duke hetuar ngjarjen. Ndërsa, në lidhje me pretendimin e gazetarit, MAS sqaron se nuk ka pasur asnjë formë apo tentative për të ndaluar të drejtën e informimit dhe të fjalës së lirë dhe kurrë nuk do të ketë një gjë të tillë nga ana e këtij institucioni.   Çdo gazetar apo qytetar i Republikës së Shqipërisë që kërkon një informacion nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka të drejtën e informimit në bazë të Ligjit nr.119 datë 18.09.2014 “Për të Drejtën e Informimit”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, fton personalisht gazetarin Enver Doçi, për të marrë të gjithë informacionin e kërkuar prej tij.