Ministry of Education and Sports

eTWINNING ALBANIA: Digjitalizimi - Binjakëzimi i shkollave shqiptare në hapësirën e përbashkët evropiane

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në kuadër të një vjetorit të aderimit të Shqipërisë në projektin e Komisionit Evropian “eTwinning”, organizoi sot, një aktivitet ku mësuesit e përfshirë prezantuan projektet e tyre.

Janë 1403 mësues, 734 shkolla që janë bërë, për herë të parë, pjesë e komunitetin online të shkollave në mbarë Evropën. Gjatë këtij viti janë realizuar 81 projekte ku mësuesit shqiptarë kanë bashkëpunuar me mësues ndërkombëtarë si dhe 39 projekte kombëtare që kanë sjellë një metodologji të re, inovatore, mësimdhënieje dhe edukimi për nxënësit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në fjalën e saj përshëndetëse, tha se përfshirja e mësuesve në këtë projekt është një tregues se shkollat shqiptare dhe mësuesit shqiptare janë të gatshëm dhe e kanë të mundur të realizojnë me sukses edhe projekte të tilla ndërkombëtare.

“Gjithçka që shkollat dhe mësuesit përfitojnë përmes interaktivitetit me mësues nga e gjithë Evropa, ndikon më së miri në cilësinë e jetës së shkollës duke e bërë orën e mësimit më tërheqëse dhe duke rritur cilësinë e arritjeve të nxënësve”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se anëtarësimi prej një viti i mësuesve shqiptarë në këtë projekt evropian është padyshim modeli i parë i suksesit, por dhe një mundësi e re që të gjitha shkollat e vendit dhe çdo mësues të ketë hapësirën e tij të përfitimit nga ky projekt.

 “Digjitalizimi i sistemit arsimor, nga një anë dhe zhvillimi real profesional i mësuesve, nga ana tjetër janë shprehje e vullnetit tonë të qartë politik për transformimin e shkollës, sipas modeleve evropiane. Gjithashtu kurrikula e bazuar në kompetenca kërkon mësues të cilët, gjithnjë e më shumë, duhet të jenë krijues, hartues, bashkëpunues dhe që zgjedhin vet materialet mësimore. Ndaj edhe në këtë drejtim, platforma eTwinning është një shembull pozitiv se si mësuesit mund t’i arrijnë me profesionalizëm gjithë këto kërkesa”, deklaroi Nikolla.

Gjithashtu, në fjalën e saj, Ministrja Nikolla theksoi se digjitalizimi i sistemit arsimor, ky projekt ambicioz, tashmë është realitet për 14 mijë nxënës në sistemin arsimor parauniversitar që po mësojnë përmes platformës  “e-learning” në “klasat digjitale”.

Ministrja e Arsimit tha se Shërbimi Mbështetës Kombëtar për eTwinning në MAS ka zhvilluar dhe do të vijojë të zhvillojë trajnime me mësuesit dhe drejtuesit e shkollave mbi promovimin dhe përdorimin e kësaj platforme si dhe për t’i nxitur mësuesit të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për realizimin e projekteve.

 

Krahas 1403 mësuesve që tashmë janë pjesë e eTwinning, Ministrja Nikolla ftoi të gjithë mësuesit e tjerë që të mos ngurojnë të bëhen pjesë aktive e këtij programi që ka në qendër inkurajimin dhe promovimin e projekteve në fushën e arsimit.

Në përfundim, Ministrja ndau tre çmime për projektet më të mira si dhe tre të tjera për festimet më të mira që shkollat dhe mësuesit realizuan në kuadër të 10-vjetorit të eTwinning. Gjithashtu mësuesve me 20 projektet më të mira ju dhuruan tableta për zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të tyre, përmes programit eTwinning.

Si pjesë e integrimit në programin Evropian Erasmus+, për Edukimin, Trajnimin, Rininë dhe Sportet, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përfituar një fond duke u bërë në këtë mënyrë aktualisht partnere e  eTwinning – Komuniteti online i shkollave në mbarë Evropën.

Portali eTwinning (www.etwinning.net) përfaqëson një platforme unike të bashkëveprimit të mësuesve në projekte nxitëse dhe inovatore. Portali nxit nxënësit, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, të krijojnë projekte, të shkëmbejnë ide dhe të përhapin praktikat më të mira ndërmjet tyre, duke ndjerë të jenë pjesë e komunitetit me nxitës në Evropë.

I krijuar në vitin 2005 si veprimi kryesor i Programit të Mësimit Elektronik të Komisionit Evropian, eTwinning numëron sot në gjithë kontinentin Evropian 269,593 mësues dhe 128,352 shkolla që zhvillojnë projekte bashkëpunuese dhe ndajnë ide.