Ministry of Education and Sports

Ligji i ri i arsimit të lartë, më shumë partneritet mes IAL-ve me biznesin për orjentimin e studentëve drejt tregut të punës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot, e pranishme në aktivitetin e kompanisë “Deloitte Albania”, mbi prezantimin e të dhënave të sondazhit “Hapat e parë në tregun e punës”, të kryer me studentë dhe të diplomuar në universitetet publike dhe private në vend.

Qëllimi i sondazhit është që t’u bëjë me dije punëdhënësve, politikëbërësve dhe institucioneve akademike në vend, aspiratat e një brezi të ri.

Gjatë diskutimit mbi rezultatet e sondazhit, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se duke shfrytëzuar modele si ky sondazh është e rëndësishme që të orientohemi në një qasje të re që e lidh më shumë biznesin me universitetin.

“Universiteti dhe biznesi mendoj duhet të jenë bashkë në kuptimin e një partneriteti të natyrshëm për të kontrolluar kurrikulat, programet, për të vlerësuar se kush janë nevojat e tregut të punës dhe si është përthithja e studentëve nga tregu i punës”, tha Nikolla duke shtuar se kjo gjë deri më sot ka munguar, madje situata ka qenë paradoksale, ku në disa institucione të arsimit të lartë, publik apo privat zhvilloheshin programe pas asnjë lidhje me tregun e punës.

Ministrja e Arsimit shtoi se ligji i ri për arsimin e lartë është një mundësi e re në këtë drejtim, sepse përmes bordeve të administrimit krijon mundësinë e pranisë së biznesit në institucionet e arsimit të lartë.

“Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me regjistrin kombëtar i cili është krijuar për studentin dhe që do të jetë një bazë të dhënash për të parë ecurinë e tij në institucionet e arsimit të lartë, por edhe një bazë shumë e mirë për të parë më pas se sa dhe si ky student është futur në tregun e punës në mënyrë që vetë universiteti ta kthejë këtë tregues në matës të cilësisë së tij. Vetë IAL-të duke qenë më shumë kompetitiv do të mundësojë përsosjen e programeve sipas asaj çfarë kërkon tregu i punës dhe do të zhvillojnë programe të reja, siç është modeli mes Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës me kompaninë “Deloitte”, që besoj do të jetë një model suksesi se si formohen profesionistët e së ardhmes.

Pyetësor që u ofrua online gjatë periudhës prill-qershor 2015, u plotësua nga 259 studentë. Pyetjet mbulonin disa fusha si, përvoja dhe kompetencat, pritshmëria mbi pagat, sjellja ndaj lidership-it, mendimet mbi balancën punë-jetë, etj.

Nga të dhënat e sondazhit rezulton se ajo që i demotivon më shumë të rinjtë shqiptarë dhe i shtyn drejt kërkimit të një punëdhënësi tjetër është mosvlerësimi i punës së tyre. Gjithashtu, një tjetër  dhënë është fakti se të rinjtë shqiptarë janë të gatshëm të lëvizin nga vendbanimi i tyre për punë.

Ky raport zhvillohet çdo dy vite nga “Deloitte” në vendet e Evropës Qendrore dhe ka në fokus të rinjtë e këtyre vendeve.

Pjesë e panelit të diskutimit ishin edhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, Zv/Rektori i Universitetit të Tiranës, Ervin Demo, Drejtues i Deloitte në Shqipëri dhe Kosovë, Maksim Caslli.