Ministry of Education and Sports

Për një sistem arsimor që formon individë të përgjegjshëm në një shoqëri

Fjala e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në mbrëmjen e fundvitit me mësuesit më të dalluar:

Në këtë darkë gëzimi festash fundviti. Në fakt, Edi Rama e ka kthyer në traditë vlerësimin e mësuesve, kësaj bashkësie njerëzish idealist, që falin energji, pasion, motiv, për ata që janë më të shtrenjtë për të gjithë ne, fëmijët tane. Dhe në qoftë se ju kujtohet një vit më parë ishim në këtë sallë dhe ishim më pak, sot jemi 3-fish më shumë sepse Edi Rama jo vëtëm ka rritur vlerësimin për mësuesit, por ajo që është më e rendësishme e ka ngritur vlerësimin e mësuesit në ato që janë realisht tregues të matshëm që nuk vijnë as nga politika, as nga drejtorët e DAR-ve, por vijnë nga djersa, puna, pasioni që ju derdhni në çdo orë mësimi në çdo shkollë të Shqipërisë nga veriu në jug.
 
Ndaj unë ju çmoj fort dhe e di se sa vlerë është djersa, energjia dhe puna që ju derdhni çdo ditë në shkollat tona. Dhe sot këtu Z. Kryeministër janë kaq shumë mësues të spikatur nga e gjithë Shqipëria, sepse ndryshe nga një vit më parë ku ne kishim të rankuara vetëm 10 gjimnazet më të mira të maturës shtetërore, tashmë falë kartës së performancës ne kemi të rankuara të gjitha shkollat e Shqipërisë. Sot, këtu janë të ftuar drejtuesit dhe mësuesit që vijnë nga shkollat më të mira. Kemi sot këtu mësues që kanë spikatur me arritjet e tyre në portalin “Mësues për Shqipërinë”, sepse ndryshe nga një vit më parë, por shumë shumë ndryshe nga 2 vite më parë  ne tashmë kemi një sistem të ri emërimesh në arsim.
 
Unë takova Ildën, Ilda Mirakën, që është ulur në tavolinën ku është ulur dhe Kryeministri i Shqipërisë. Kishte 8 vite si mësuese matematike që kërkonte punë në Tiranë dhe nuk gjente pune në asnjë prej shkollave edhe pse mësues futeshin në detyrë. Ilda vazhdonte pasionin e saj të mësimdhënies së matematikës në shkolla private. Falë portalit “Mësues për Shqipërinë” ajo sot është pjesë e gjimnazit Besnik Sykja në Tiranë. Në testimin e fundit për të vlerësuar nevojat për zhvillimin profesional të mësuesve Ilda u vlerësua e para me arritjet e saj në Tiranë. Ja pra sa e rëndësishme është të vendosësh mësuesinë, zhvillimin profesional, dashurinë për shkollën mbi baza realisht të matshme larg politikës, korrupsionit apo nepotizmit.
 
Këtë vit ndryshe nga një vit më parë, ju, së bashku me ne, padyshim së bashku me fëmijët e shqiptarëve keni në dorë një kurrikul të re, por ndryshe dhe shumë më ndryshe nga dy vite më parë u futët në klasa jo vetëm me tekste të reja, por të trajnuar më parë për atë çka do të pasonte më pas në punën tuaj.
 
Më lejoni të ndaj me ju në fakt falënderimin që nuk është thjesht i ministres së Arsimit apo ish koleges suaj, por një falënderim që vjen nga Komisioni Evropian, i cili pak ditë më parë investigoi punën që ishte bërë me reformat e arsimit në Shqipëri. Dhe shprehimisht Znj. Sisko, tha: “.. kjo kurrikul e re, kjo punë përgatitore që është bërë për trajnimin e mësuesve do t’i japi shumë shpejt rezultatet e të nxënit në konkursin apo në provimet e PISA-s 2018”. Dhe meqënëse jemi tek PISA, Shqipëria është angazhuar dhe do ta bëjë realitet që ky testim të realizohet në mënyrë digjitale.
 
Ne jemi të angazhuar që së bashku me ju do të realizojmë edhe një reform të re. Këtë vit në klasat e pesta në të gjithë Shqipërinë do të pilotojmë provimin kombëtar dhe një vit më pas në do ta bëjmë një provim të detyrueshëm dalës, pra do të kemi në klasën e pestë në klasën e nëntë dhe në klasën e dymbëdhjetë në mënyrë që arritjet tuaja të bëhen të matshme me atë që ne duam të jetë si cilësi arritjesh të nxënësve tuaj.
 
Por ndryshe nga një vit më parë të gjithë ju, nxënësit tuaj, prindërit po ashtu kanë në dorë edhe një instrument tjetër që ka ardhur falë punës dhe përkushtimit të mësuesve të edukimit fizik. Për gjithë nxënësit e Shqipërisë, në të gjitha shkollat e Shqipërisë, tashmë është kryer matja e të gjithë cilësive trupore që do të na çojë në një analizë dhe më pas në një situatë krejtësisht të re përgatitje për të mbrojtur shëndetin dhe për të përgatitur një jetë të shëndetshme të të gjithë nxënësve të arsimit parauniversitar.
 
Miqtë e mi unë ju falenderoj dhe ju kam në zemër sepse e di sesa shumë punoni, por ajo që do të doja për secilin nga ju është që të mund të përbëni një model suksesi një shembull për kolegun në paralelin tuaj, për disa kolegë në shkollën tuaj, në një shkollë tjetër të komunitetit të rajonit tuaj që është rankuar më pak dhe kështu ne të bëhemi një fuqi e madhe ndryshimi për të dhënë më shumë cilësi, cilësi, cilësi në arsim për ata që janë drita jonë e syve fëmijve tanë.
 
Faleminderit Kryeministri i Shqipërisë, falëminderit të gjithve, gjithçka është e mundur bashkarisht sigurisht falë pasionit do të bëjmë realitet të gjitha objektivat që kemi marrë.
 
Gëzuar dhe suksese.