Ministry of Education and Sports

Matura Shtetërore, asgjë nuk ndryshon për zhvillimin dhe miradministrimin e saj

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla zhvilloi sot, në gjimnazin “Arben Broci”, një takim më maturantët e Tiranës për t’i informuar në lidhje me Maturën Shtetërore të këtij viti dhe mënyrën se si ata do të aplikojnë për të ndjekur studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë.

Ministrja Nikolla i bëri me dije maturantëve se, për Maturën Shtetërore, asgjë nuk ka ndryshuar këtë vit, sa i përket miradministrimit të saj dhe zhvillimit të pesë provimeve, atyre të detyruara dhe atyre me zgjedhje.

“Asgjë nuk ndryshon në punën tuaj dhe energjitë tuaj për Maturën Shtetërore. Ashtu siç e dini, që kur keni hyrë në gjimnaz, se në fund të vitit të tretë ju do të keni provimet e Maturës Shtetërore, e njëjta gjë do të jetë edhe këtë vit. Pra, do të keni provimet e detyruara dhe provimet me zgjedhje për të cilat ju po vijoni përgatitjen. Provimet e Maturës Shtetërore do të jenë provime dalëse, pra provime që vetëm certifikojnë përmbylljen e një faze të rëndësishme të formimit tuaj në gjimnaz”, u shpreh ministrja Nikolla duke theksuar se miradministrimi i Maturës Shtetërore është prioritet edhe këtë vit.

Sipas Ministres së Arsimit, ajo që ndryshon këtë vit është mënyra e aplikimit për të ndjekur studimet në institucionet e arsimit të lartë, ku risi është plotësimi i formularit A1 nga të gjithë maturantët, edhe nga ata që do vijojnë studimet në universitete publike, por edhe nga ata që dëshirojnë të studiojnë në universitete private.

“Nuk do të jetë më Agjencia Kombëtare e Provimeve ajo që do të bëjë renditjen sipas profileve të caktuara në universitet. Ju do të vendosni vetë, në bazë të kritereve që universitetet përcaktojnë, se ku do të ndiqni studimet tuaja. Ju keni të drejtë të shkoni dhe të regjistroheni në disa universitete, aty ku ju mendoni që plotësoni kriteret”, iu tha ministrja Nikolla maturantëve.

Ligji i ri i Arsimit të Lartë detyron Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që të përcaktojë përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave vetëm nivelin dysheme të notës mesatare që duhet për të hyrë në universitet.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se, universitetet kanë sjellë në MAS kriteret e tyre për mënyrën dhe detyrimin që do të kenë maturantët për të aplikuar në universitet. Këto kritere do të bëhen publike nga universitetet, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe do të dërgohen në çdo shkollë të vendit.

“Çdo universitet do të përcaktojë kritere të tjera përveç mesatares dysheme. Ne jemi duke biseduar me universitetet në mënyrë që kriteret që ata përcaktojnë dhe vendimmarrja e qeverisë mos të cënojë asnjë prej maturantëve që kërkon dhe ka meritën për të studiuar në institucionet e arsimit të lartë”, tha Nikolla.

Ministrja e Arsimit sqaroi edhe një moment tjetër për maturantët në lidhje me konkurset për të hyrë në universitet, duke theksuar se konkurs do të kenë vetëm ato universitete që e kanë pasur atë edhe parë si, Universiteti i Arteve apo i Sporteve ku kërkohet një specifikë e caktuar.

“Për universitetet ku nuk ka pasur konkurs nuk do të ketë konkurs. Nuk do të kthehet tradita e vjetër që për të hyrë në universitet, vetë universitetet zhvillonin konkurse, por do të ketë kritere që lidhen me grup të caktuara lëndësh, me notën mesatare që ndryshon nga një universitet në një tjetër”, u shpreh ministrja Nikolla.

Edhe një herë, Ministrja theksoi për maturantët se Ligji i ri për Arsimin e Lartë vetëm lehtëson rrugën për të hyrë në universitet dhe nuk do të jetë me qeveria ajo që do të përcaktojë kuotat dhe tarifat, por do të jenë organet kolegjiale të universiteteve.

Ministrja Lindita Nikolla dhe Zëvendësministrja Nola Malaj iu përgjigjën të gjitha pyetjeve që nxënësit kishin për Maturën Shtetërore dhe aplikimin në universitet.