Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla takim me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla priti sot në një takim Ministrin e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, Rektorin e Universitetit të Shkupit, Velimir Stojkovskin dhe Zv.Dekanen për Shkencën në Fakultetin e Veterinarisë të Universitetit të Shkupit, Zehra Hajrulai- Musliu.

Të dy ministrat ndanë vlerësimet pozitive në bashkëpunimin dy palësh dhe njëkohësisht nënvizuan nevojën e forcimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, si rruga e nevojshme për integrimin rajonal dhe evropian gjithashtu.

Ministrja Nikolla, nënvizoi faktin se Universiteti i Tiranës është një nga universitetet më cilësorë të vendit që ka shumë marrëveshje bashkëpunimi dhe që angazhohet për zgjerimin e mëtejshëm të tyre me universitete të reja ashtu edhe për konsolidimin e bashkëpunimeve ekzistuese.

Sipas ministres Lindita Nikolla, reforma ligjore dhe implementimi i saj  do të shënojë një stad të ri në drejtim të punës kërkimore shkencore dhe bashkëpunimit ndër universitar gjithashtu. Ministrja konfirmoi mbështetjen institucionale për çdo nismë që ndihmon në këtë drejtim.

Ministri Ademi tha se Maqedonia ka disa fusha ku e shikon me prioritet bashkëpunimin me Shqipërinë dhe universitetet shqiptare, të tilla si shkencat teknik dhe inxhinieritë, shkencat mjekësore dhe ato të gjuhësisë dhe veçanërisht të gjuhës shqipe.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit të Shkupit, Velimir Stojkovskin  shprehu falenderimet për mundësinë e takimit. Gjithashtu ai nënvizoi se Universiteti i Shkupit ka shumë bashkëpunime me universitete në mbarë boten, por ka gjithashtu një bashkëpunim shumë të mirë me Universitetin e Tiranës, Universitetin Bujqësor, Universitetin e Gjirokastrës, Elbasanit, Korçës. Fryt i këtij bashkëpunimi ka qenë fitimi i disa projekteve të përbashkëta, ku pedagogët e të dy vendeve kanë arritur rezultate të vlerësuara.

Vizita në Tiranë e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi  zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit që Universiteti i Shkupit ka me Universitetin e Tiranës dhe nënshkrimin nesër të një marrëveshjeje të re ndërmjet tyre.