Ministry of Education and Sports

Ceremonia e Çeljes së Olimpiadës Ballkanike të Matematikës, BMO 2016

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj ishte sot e pranishme në ceremoninë e çeljes së Olimpiadës Ballkanike të Matematikës, BMO 2016, në të cilën morën pjesë nxënës të shkollave të mesme nga 12 vendet e rajonit si Bullgari, Mali i Zi, Serbi, Bosnje Hercegovinë, Greqi, Turqi, Rumani, Qipro, Moldavi, nga vendi ynë e të tjerë.

Pasi falënderoi nxënësit, prindërit, mësuesit, pedagogët si edhe të ftuar të vendeve pjesëmarrëse në këtë olimpiadë, Zëvendësministrja Malaj u shpreh se kjo është  një mundësi e mirë në karrierën e çdo të riu, çdo studenti që ëndërron për të garuar fortë në fushën e matematikës dhe të dal më i miri.

 “Olimpiada Ballkanike e Matematikës, BMO, është një konkurrim mjaft prestigjioz, një mundësi e dhënë për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe futjen e Shqipërisë në hartën e vendeve që kualifikohen për të pritur dhe organizuar aktivitete të këtyre përmasave”, u shpreh Malaj.

Zëvendësministrja Malaj shtoi se Shqipëria ka marrë pjesë në Olimpiadat Ndërkombëtare të Matematikës që në vitin 1990 ku është përfaqësuar me dinjitet dhe nderuar me çmime dhe medalje të ndryshme.

E pranishme në ceremoninë e sotme ishte edhe Drejtoresha e Arsimit Parauniversitar në MAS, Zamira Gjini e cila i urojë suksese shteteve pjesëmarrëse në olimpiadë.

Olimpiada e 33-të Ballkanike e Matematikës, BMO, do të zhvillohet në datat 5-10 maj 2016, në Tiranë dhe kjo është olimpiada e tretë BMO që zhvillohet në Shqipëri.