Ministry of Education and Sports

Festivali i IDEVE RINORE 2016 - Ceremonia e Çmimeve

30 shkolla të vendit, të përzgjedhura përmes një konkursi kombëtar, në të cilin aplikuan 77 gjimnaze komunitare në rang vendi, prezantuan projekt-idetë e tyre në “Festivalin e Ideve Rinore 2016” të çelur sot në Muzeun Historik Kombëtar.

“Festivali i Ideve Rinore 2016” është eventi kryesor vjetor i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve (MAS), në të cilin shpaloset dhe promovohen njohuritë, imagjinata, kreativiteti dhe produktiviteti i të rinjve shqiptarë parauniversitar në forma të tilla, që të integrojnë aftësitë dhe kompetencat e fituara përmes edukimit formal, joformal e informal, me vlerat me të mira sociale, në shërbim të një zhvillimi të qëndrueshëm lokal në themel të të cilit janë të rinjtë, komuniteti dhe Shkolla si Qendër Komunitare.

Gjatë fjalës së saj në ceremoninë e çmimeve, Ministrja Nikolla tha se “Festivali i Ideve Rinore 2016” është një event i rëndësishëm, i cili do të vijojë si një eksperiencë e mirë në vend dhe në rajon për të prezantuar dhe promovuar shkëmbimin e praktikave më të mira mes shkollave shqiptare dhe të rajonit.

“Risia e këtij viti është e dukshme si në ide ashtu edhe në formë. “Festivali i Ideve Rinore 2016” propozohet si një event i organizuar jo vetëm nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve (MAS) por edhe nga shumë partner të rëndësishëm që na kanë mbështetur në nismën tonë për të shndërruar shkollat në qendra komunitare. Kjo do të vijojë si një eksperiencë e mirë në vend dhe në rajon për të prezantuar dhe promovuar shkëmbimin e praktikave më të mira mes shkollave shqiptare dhe të rajonit. Risi, gjithashtu, dhe nga përmbajtja, duke lëvruar një hapësirë tematikash e idesh më të gjerë se në vitin e shkuar.” tha Nikolla.

Ministrja shtoi se përveç stendave promovuese, me anë të të cilave gjimnazet paraqesin praktikat dhe projekt- idetë e tyre më të mira, janë planifikuar edhe takime me personalitete të shquara, ambasadorë dhe studentë të vendeve të ndryshme të BE, workshop-e dhe seminare nga partnerë, ekspertë të ndryshëm, si dhe aktivitete, evente në bashkëpunim me mësues të talentuar dhe prindër të shumtë.

“Ky është projekti që i takon së ardhmes sepse të gjitha shkollat e arsimit tonë parauniversitar do të bëhen pjesë e këtij modeli funksionimi, pra si Shkolla Qendra Komunitare. Të gjithë nxënësit e talentuar, që sot prezantojnë idetë e tyre, do të vijojnë rrugëtimin më një seri aktivitetesh për të jetësuar projekt-idenë e tyre dhe për të dhënë produktet e tyre të para.”- tha ministrja.

Në prani të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, përfaqësues të Ambasadës Italiane në Tiranë dhe personaliteteve të tjera të fushës së biznesit, arsimit dhe shoqërisë civile në vend, u ndanë çmimet për projektet më të mira.

Ky është viti i dytë që organizohet një event promovues i përmasave të tilla i ngjashëm me atë të një viti më  parë  (‘Panairi i Ideve’ 2015) organizuar nga MAS dhe partnerët, duke krijuar tashmë një traditë në këtë drejtim, e cila është njëherazi kreative dhe novatore, pasi sjell risi e përfitime të reja, stimulon ide dhe përfshin aktorë  në  nivele më  të  gjera dhe synon arritjen e objektivave që  shkojnë  përtej atyre të  një  viti më  parë.

 

Fjala e plotë e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në “Festivalin e Ideve Rinore 2016”

Përshëndetje të gjithëve,

Sot është një ditë plotë me ide nga  nxënës të talentuar të shkollave që operojnë si shkolla qendër komunitare. Ky është viti i dytë i organizimit të një eventi të tillë, që përpos tematikave të ndryshme, këtë vit propozuam ‘Europën’ si tematikë qendrore në mënyrë që të rrisin ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e të rinjve për një Shqipëri evropiane dhe ajo që është më e rëndësishmja të nxisin ide dhe nisma që fillojnë nga shkolla për të vijuar me aksionin dhe veprimtari të shumta.

Risia e këtij viti është e dukshme si në ide ashtu edhe në formë. “Festivali i Ideve Rinore 2016” propozohet si një event i organizuar jo vetëm nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve (MAS) por edhe nga shumë partner të rëndësishëm që na kanë mbështetur në nismën tonë për të shndërruar shkollat në qendra komunitare. Kjo do të vijojë si një eksperiencë e mirë në vend dhe në rajon për të prezantuar dhe promovuar shkëmbimin e praktikave më të mira mes shkollave shqiptare dhe të rajonit. Risia është edhe nga pikëpamja përmbajtësore. “Festivali i Ideve Rinore 2016” do të ketë një dimension të madh, të shumë ideve të reja.

Përveç stendave promovuese, ku gjimnazet po paraqesin praktikat dhe projekt- idetë e tyre më të mira gjatë një viti, janë planifikuar edhe takime me personalitete të shquara, ambasadorë dhe studentë të vendeve të ndryshme të BE, workshop-e dhe seminare nga partnerë, ekspertë të ndryshëm, aktivitete, evente në bashkëpunim me mësues të talentuar dhe prindër të shumtë.

Besoj që ne këto dy vite ia kemi dal, që këto shkolla që operojnë si shkolla qendër komunitare, jo vetëm të kenë rezultatet më të mira, jo vetëm të jenë kthyer në një pikë referimi por padyshim është projekti që i takon së ardhmes sepse të gjitha shkollat e arsimit tonë parauniversitar do të bëhen pjesë e këtij modeli funksionimi, pra si shkolla qendra komunitare. Të gjithë këta nxënës të talentuar që kanë prezantuar idetë e tyre, si e imagjinojnë qytetin e tyre, padyshim që do jenë ide që do pasohen nga aktivitete të tjera që do i kthejnë nga ide, në shërbim të jetës së komunitetit

Ndaj lejomani që në emër të këtyre nxënësve të talentuar, ngjizjes së një komunikimi të ri midis shkollave, mësuesve dhe prindërve, përmes këtij festivali rinor, shkollave gjithnjë e më shumë t’u bashkohen partnerë të rëndësishëm për ti kthyer këto projekte në realitet.

Është kënaqësi të përshëndes të gjithë partnerët që mundësuan këtë aktivitet të rëndësishëm, që qëndruan përkrah nxënësve në këtë rrugëtim. Kam mbetur e befasuar nga shumë projekt-ide që kanë vizituar dhe përmbajtja e tyre janë shume të larmishme ndaj partnerë të rëndësishëm jepini krahë ideve të tyre, bëjeni ata krenar  duke i mbështetur.

Faleminderit edhe një herë, të dashur nxënës. Festivali i ideve tuaja është për ne një nxitje më shumë, një angazhim më shumë për ti kthyer shkollat cilësore, për ti kthyer ashtu siç ju i ëndërroni.