Ministry of Education and Sports

Ceremonia e hapjes së panairit “Ditët e Orientimit të Karrierës së Maturantit”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla ishte sot, e pranishme në çeljen e panairit “Ditët e Orientimit të Karrierës së Maturantit” i zhvilluar në ambientet e City Expo, City Park.

Gjatë fjalës së saj ministrja Nikolla u ndal në rëndësinë që ka ky panair në orientimin e maturantëve drejt zgjedhjes së karrierës së duhur si dhe njohjen me mundësitë që u ofrohen nga universitetet që marrin pjesë në panair.

“Sot është një ditë e veçantë e zhvillim të përgjegjësive të përbashkëta, për atë që kemi detyrim, informacionin tërësor dhe transparencën e plotë për çdo maturant dhe prind për një proces, i cili për shkak të implementimit të ligjit të ri të arsimit të lartë, këtë vit ka një specifikë të veçantë. Institucionet e Arsimit të Lartë, për shkak të zgjerimit të autonomisë institucionale, marrin këtë vit një rëndësi të dorës së parë, përsa i përket procesit të pranimeve të reja në programet e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë në vend.”, tha Nikolla.

 

Ministrja, gjithashtu, u ndal edhe te Manuali i Maturantit, një udhërrëfyes i detajuar mbi procedurën e aplikimit që çdo maturant duhet të ndjekë për të aplikuar pranë çdo IAL-e publike apo private.

Të gjithë ata maturantë që kanë notën mesatare mbi gjashtë do të vijojnë me procedurat, por pa humbur mundësinë edhe maturantët që kanë notën mesatare nën gjashtë për të vijuar studimet e tyre në kolegje profesionale. Ata do të jenë të ekspozuar në këto ditë të orientimit të karrierës.” u shpreh Lindita Nikolla.

 

Panairi “Ditët e Orientimit të Karrierës së Maturantit”  do të qëndrojë i hapur më 26, 27 dhe 28 maj 2016, ku institucionet e arsimit të lartë do të jenë në shërbim të nxënësve dhe do t`u ofrojnë atyre informacione për:

  • Programet e studimit të ILA-ve Publike/Private,
  • Format e organizimit të tyre
  • Kriteret e pranimit
  • Personelin akademik
  • Tarifat e shkollimit
  • Teknologjitë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor
  • Kapacitetet dhe përparësitë infrastrukturore dhe teknologjike që IAL kanë në realizimin e suksesshëm të programeve të studimit.
  • Përparësitë dhe mundësitë që krijojnë Programet e Studimit në raport me tregun e punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të karrierës së tyre profesionale.

 

Ftesës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të marrë pjesë në këtë event risi, i janë përgjigjur pozitivisht 25 IAL publike dhe private në vend, të cilat do të jenë prezent me stenda, materiale dhe përfaqësues përgjatë të 3 ditëve të panairit.