Ministry of Education and Sports

Për një brez të ri larg drogës, alkoolit dhe duhanit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla ishte sot e pranishme në Lezhë, në një aktivitet të përbashkët mes shkollave të mesme të Lezhës, Dibrës, Kukësit dhe Shkodrës, në kuadër të parandalimit dhe luftës kundër drogës, alkoolit dhe duhanit. Në aktivitet morën pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Z. Saimir Tahiri , Drejtori i Policisë Z. Haki Çako, përfaqësues të OSBE, misioneve të huaja, nxënës, prindër dhe mësues.

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit datë 20.04.2012, mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit  dhe Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka vijuar dhe për këtë vit bashkëpunimi për zbatimin e Programit “Edukimi , ndërgjegjësimi dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substanca të tjera të rrezikshme”. Ky program është  fokusuar ne sensibilizimin e nxënësve, veçanërisht të klasave të 6- ta të sistemit arsimor 9-vjecar, në parandalimin e përhapjes, përdorimit të drogave dhe substancave të tjera të rrezikshme.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit tha se MAS në kurrikulën mësimore në arsimin parauniversitar, në lëndë të veçanta, por edhe në veprimtaritë kroskurrikulare është synuar përvetësimi i njohurive, aftësive dhe qëndrimeve të nevojshme për parandalimin e drogave.

“Ky është një moment reflektimi për të vijuar jo vetëm këtë bashkëpunim, por për të vijuar gjithnjë e më shumë në tempullin e dijes, për të mundësuar histori suksesi, për të mundësuar realizimin e shpresave dhe ëndrrave që fëmijët tanë meritojnë.” tha ministrja.

Në kurrikulën e gjimnazit krahas trajtimit kroskurrikular të çështjeve të drogës  përmes lëndëve biologji, qytetari, psikologji,  kjo problematikë trajtohet më vete në kuadrin e lëndës “Aftësi për jetën” me fokus shëndetin.

I pranishëm në konferencë ishte edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Z. Saimir Tahiri, i cili tha se këto takime do krijojnë një fuqi të tërë njerëzore për t’ia dalë përballë këtyre fenomeneve. 

“Unë nuk kam fjalë aq sa duhet për të falënderuar të gjithë të rinjtë e të rejat që sot më dhanë edhe mua një leksion shumë të mirë për fuqinë njerëzore që ka një brez i tërë për t’u përballur bashkë me ne, bashkë me Ministrinë e Arsimit, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, bashkë me Policinë e Shtetit, me ndihmën e vyer të partnerëve, për të ndërtuar Shqipërinë e gjeneratës tjetër.” tha ministri

Në muajt Janar, Shkurt, Mars dhe Prill u zhvillua Programi “Edukimi, ndërgjegjësimi dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substancat e tjera të rrezikshme”, në të gjitha Qarqet. Në program janë përfshirë gjithsej 365 shkolla 9-vjeçare publike dhe jo-publike të vendit tonë, në 720 klasa të 6-ta, ku përfitues ishin 18 000 nxënës, ose 20 % më shumë shkolla se një vit më parë. (2015).