Ministry of Education and Sports

Junior Achievement, fëmijët e sotëm sipërmarrës të së ardhmes

Në kuadër të bashkëpunimit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit, ndërmjet AADF me MAS dhe MMSR për zbatimin e programit Junior Achievement në sistemin arsimor shqiptar, bazë dhe atë të mesëm, Junior Achievement of Albania, prezantoi sot ‘Junior Achievement, fëmijët e sotëm sipërmarrës të së ardhmes’.

Prezantimi kishte në fokus zbatimin e programit edukativ për sipërmarrjen në sistemin arsimor bazë shqiptar, me përmasa dhe shtrirje mbarëkombëtare, çka përbën një fenomen të veçantë në historikun e Junior Achievement në Europë dhe më gjerë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, gjatë fjalës së saj në prezantim, deklaroi se përmes këtij procesi sot jemi dëshmitarë të shenjave të para të ndikimit të programit Junior Achievement, në rritjen e interesit të nxënësit për vetë lëndën e qytetarisë.

“Realiteti ka nevojë për të rinj të frymëzuar, me ide e energjitë e duhura për t’i realizuar ato, të rinj që marrin përsipër përgjegjësi e angazhohen në vetë të parë. Detyra jonë është t’i mbështetim duke mundësuar edukim në 360 gradë.” tha Nikolla.

Ministrja tha se njohuritë që ofron JA edhe pedagogjia që përdoret, kanë në themel ndërveprimin, partneritetin mësues-nxënës, në ndërtimin e dijes tek nxënësit. 

“Për ne është e rëndësishme të kemi mësues sa më cilësor. Ky përbën një objektiv të rëndësishëm të reformës sonë. Në këtë mënyrë do t'i afrohemi më shumë sigurimit të një shërbimi më cilësor për nxënësin dhe do t'i japim më shumë kuptim edhe parimit që qëndron në themel të politikës sonë arsimore ‘Cilësi dhe barazi në arsim’” tha ministrja Nikolla.

Në aktivitet morën pjesë, duke sjellë këndvështrime të vlefshme për rolin, impaktin dhe ecurinë e mëtejshme të programit Junior Achievement në vendin tonë, Kryetari i Bordit Drejtues i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF), Z. Michael Granoff, Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Adela Karapici, mësues të ciklit bazë arsimor si dhe vetë përfituesit, nxënës  të rrjetit JA, në Shqipëri.

Falë mbështetjes strategjike të AADF dhe mbështetjes institucionale të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në vitin e katërt të zbatimit, Junior Achievement shtrihet në më shumë se 168 shkolla të mesme dhe paralelisht në të gjitha shkollat e arsimit bazë (sistemi k-9), duke përfshirë këtë vit mbi 77,000 fëmijë e  nxënës.