Ministry of Education and Sports

CleanScore, projekti për korrigjimin e automatizuar të provimeve

Ditën e sotme, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, gjatë prezantimit të Projektit “CleanScore”.

CleanScore është një projekt për korrigjimin e automatizuar të provimeve, që ndihmon në rritjen e transparencës në vlerësimin e studentëve, si dhe në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies duke zëvendësuar librat aktual me versione ndërkombëtare.

“Projekti i mbështetur nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, përfaqësuesin e të cilit, Z. Granoff, e falënderoj për këtë angazhim të radhës në mbështetje të reformave tona, do të na mundësojë ndërhyrje në një dimension po aq jetik të arsimit të lartë, atë të mësimdhënies dhe vlerësimit të nivelit të përgatitje që studentët shqiptarë marrin në auditoret shqiptare, publike apo private.” u shpreh Nikolla.

Ministrja e Arsimit shtoi se ngritja e dy qendrave të testimit, do të garantojë vlerësime objektive në transparencë të plotë.

“Do të transformojnë tërësisht raportin Student-Pedagog-IAL në favor të cilësisë, duke i shpallur luftë çështjes të Korrupsionit e të tregtimit të notës në IAL-të tona.” tha ministrja.

Projekti do të pilotohet në dy universitete, një publik dhe një privat. Ai do të zgjasë për 2.5 vite: 9 muajt e parë përbëjnë periudhën fillestare, gjatë së cilës do të përgatiten edhe librat e rinj për përdorim gjatë vitit akademik. Vitet më pas përbëjnë periudhën e implementimin e projektit me të gjithë komponentët.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Kryetari i Bordit të AADF-së Z. Michael D. Granoff,  i cili tha se projekti “CleanScore” synon përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies duke zëvendësuar disa nga tekstet aktuale me versione ndërkombëtare të autorëve të mirënjohur.

Në përfundim të prezantimit u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Evropian të Tiranës.