Ministry of Education and Sports

Ministrja Nikolla takim me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, Arsim Bajrami

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla ka pritur sot Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Z. Arsim Bajrami me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e arsimit. Në takimin midis dy delegacioneve, palët shprehën entuziazmin për shtrirjen dhe forcimin e bashkëpunimit të dy vendeve në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e cilësoi takimin si një takim të kthyer në traditë të përbashkët pune, ku mundësohet trajtimi i çështjeve dhe problematikave që lidhen me fushën e arsimit.

Në këtë tryezë u diskutuan pika të rëndësishme, siç është ajo e një sistem të përbashkët kurrikular midis dy vendeve për arsimin parauniversitar, fushën e arsimit të lartë, profesionet e rregulluara dhe njohjen e diplomave dhe titujve të arsimit të lartë.

“Kemi shumë për të bërë, por kemi edhe detyra të vendosura nga mbledhja e fundit e përbashkët e dy qeverive tona, pa lënë mënjanë, një sektor shumë të rëndësishëm që lidhet me diasporën, ku kemi vendosur një agjendë të përbashkët veprimi, për të vijuar me tekstet, cilësinë e tyre dhe përmirësimin e punës sonë për mësimin e gjuhë e kulturës shqipe” tha ministrja Nikolla.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Arsim Bajrami shprehu kënaqësinë që ndodhet në Tiranë për këtë takim të përbashkët pune dhe theksoi se do të punohet më tej për vazhdimin e bashkëpunimin mes dy vendeve.