Ministry of Education and Sports

Seminari i XII mbarëkombëtar për mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla ishte sot e pranishme në seminarin e XII mbarëkombëtar: “Për mësimin plotësues të gjuhës dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”, që u zhvillua në Universitetin e Shkodrës në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit.

Në seminar marrin pjesë 130 mësues nga Kosova dhe Shqipëria, që japin mësim në gjuhën shqipe në  diasporë dhe te emigrantët shqiptarë në vende të ndryshme të Europës si Angli, Austri, Finlandë, Greqi, Gjermani, Kosovë, Kroaci, Shqipëri, Slloveni, Suedi, dhe Zvicër.

Ky seminar ka për qëllim, shkëmbimin e përvojave në nxënien e gjuhës shqipe në diasporë dhe mërgatë. Gjithashtu, dhënia e modeleve praktike të orëve mësimore të gjuhës shqipe nga mësues emigrantë të ardhur nga këto vende dhe zhvillimi profesional i mësuesve mbi bazën e kurrikulës dhe të standardeve të përbashkëta të Shqipërisë dhe Kosovës do të jenë dy objektivat mbi të cilat do të përqëndrohet seminari.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla, gjatë fjalës së saj, deklaroi se Seminari për organizimin e mësimit të gjuhës dhe të kulturës shqipe në diasporë dhe në mërgatë, këtë vit, ka rëndësi të veçantë,  pasi është një tjetër stacion i rrugës së përbashkët, ku ecën mësimi i njësuar i gjuhës dhe i kulturës shqiptare në diasporë dhe nga emigrantët shqiptarë kudo që janë.

  ”Ky stacion u kap sepse, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, në sistemin parauniversitar, kanë në përdorim një kurrikul bashkëkohore, që krijon kushte dhe mbështet zhvillimin e kompetencave. Për të jetësuar  marrëveshjen “Për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”, prej më shumë se një vit, kanë punuar katër grupe specialistësh nga dy vendet tona dhe kanë përgatitur dokumentet që rrjedhin prej saj”, ~  tha ministrja Nikolla.

Unë kam bindjen, u shpreh ajo se ju, të nderuar mësues, edhe gjatë këtij seminari, do të jepni kontribut të vlefshëm për të përmirësuar më tej cilësinë e tyre, veçanërisht të “Programit të kurrikulës së unifikuar” dhe “Standardet e unifikuara të mësuesit”.

“Çdo vit shkollor, Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, siguron mbi 6 mijë e 500 libra (mbi 4 mijë e 500 tekste shkollore dhe 2 mijë fletore pune), të cilat nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përfaqësive tona diplomatike, u dërgohen fëmijëve emigrantë në diasporë për përdorim falas. Edhe këtë vit, MAS-i siguroi mbi 3200 abetare dhe tekste te gjuhës shqipe për tu shpërndarë në diasporë,  tha Nikolla.

Gjithashtu ajo, vuri theksin edhe te përvoja dhe puna që po bëjnë dy vendet dhe qeveritë tona, që me siguri, do të çojë drejt teksteve shkollore të përbashkëta, jo vetëm për diasporën dhe mërgatën.

“Qeveria shqiptare ka vullnetin për të plotësuar detyrimin ndaj fëmijëve të emigrantëve, që ata të mësojnë gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Gjuha amtare përbën shenjën e parë të identitetit kombëtar. Si e tillë, ajo duhet mësuar e zhvilluar, që të ruhet e të zhvillohet identiteti ynë kombëtar”, u shpreh ministrja në fjalën e saj.

Detyra e Shqipërisë dhe Kosovës është që të vijojnë me organizimin e seminareve  të përvitshme me mësues nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, për të zhvilluar nxënien e shqipes te fëmijët e emigrantëve shqiptarë dhe kualifikimin e zhvillimin professional të vet mësuesve.

I pranishëm në seminar ishte edhe  Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës dhe znj. Voltana Ademi, Kryetare e Bashkisë Shkodër.