Ministry of Education and Sports

Çelet Instituti i Lidershipit  Arsimor ILA

Është inauguruar Instituti i Lidershipit Arsimor (ILA) në kryeqytet, Institucioni i cili ka për qëllim formimin e drejtuesve të shkollave si profesionistë dhe sigurimin përmes certifikatës, cilësinë e këtij formimi.

E pranishme në ceremoni ishte Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e cila në fjalën e saj theksoi se ky institucion do t’u ofrojë drejtuesve të shkollave asistencën e duhur profesionale dhe do t’i ndihmojë ata të plotësojnë në vijimësi objektivat e reformës arsimore për rritjen e cilësisë së arritjeve të nxënësve.

Në fjalën e saj ministrja Nikolla theksoi se gjithçka se kemi gjetur, në kontekstin e përgatitjes dhe të ndihmës së drejtuesve të shkollave, përmblidhet në dokumentin “Standardet e drejtorit” një dokument ky i cili është i konceptuar si mjet për vlerësimin e performancës.

Reforma e cila po zbatohet në sistemin arsimor është konsideruar nga Ministrja Nikolla si “ind lidhës” i këtij sistemi të integruar në “Standardet e njësuara të performancës dhe kriteret e vlerësimit të saj”. Konceptuar kësisoj, sistemi i mësipërm sipas ministres gjen bazament teorik domethënës, pasi mbështetet mbi një model të provuar, të konfirmuar përmes praktikave të mira në vende të ndryshme të Europës dhe të Amerikës së Veriut.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla vuri theksin tek fakti se modeli për formimin fillestar të drejtuesve të shkollave është konceptuar i tillë që të mund të zhvillohet edhe nga fakultetet që plotësojnë kriteret për zhvillimin e këtij programi ose agjenci të akredituara.

Ora e parë e mësimit të drejtorëve u asistua nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Në institutin, i cili u çel për herë të parë në vendin tonë, marrin pjesë rreth 200 drejtorë shkollash nga e gjithë Shqipëria.