Ministry of Education and Sports

Ngritja e kapaciteteve për ndërgjegjësimin dhe edukimin antidoping në shkollë

Më datë 15/02/2017 në qytetin e Sarandës u zhvillua trajnimi i mësuesve të edukimit fizik, me pjesëmarrje nga Drejtoria Arsimore Rrajonale Gjirokastër dhe Zyrat Arsimore Sarandë, Delvinë, Përmet, Tepelenë në kuadër të Projektit të miratuar nga Fondi i Eleminimit të Dopingut në Sport të UNESCO-s, i cili titullohet “Ngritja e kapaciteteve për ndërgjegjësimin dhe edukimin antidoping në shkollë”.

Seminari i dytë i trajnimit të mësuesve të edukimit fizik u zhvillua në datë 16.02.2017 në qytetin e Vlorës me pjesmarje nga Drejtoria Arsimore Rrajonale Vlorë, Fier dhe Zyrat Arsimore Lushnje dhe Mallakastër.

Për realizimin e këtij projekti Ministria e Arsimit dhe Sportit ka bashkëpunuar me Komisionin Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n, Komisionin Kombëtar Antidoping, Institutin e Zhvillimit të Arsimit, Universitetin e Sporteve dhe Shoqatën e Edukimit Fizik dhe Sportit Shkollor Tiranë.

Edukimi anti-doping dhe zhvillimi i programeve parandaluese kundër dopingut për të rinjtë është një nga prioritetet e Agjencisë Botërore Antidoping (WADA). Për arritjen e këtij qëllimi, WADA synon një partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të integruar edukimin anti-doping në sistemin formal të arsimit, përmes kurrikulës shkollore.

Edukimi fizik dhe sporti luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit, në edukimin moral dhe fizik, duke luftuar në këtë mënyrë përdorimin e dopingut dhe substancave që krijojnë varësi, një shqetësim i madh për vendin tonë dhe mbarë botën.

Një vëmendje të veçantë, Programi i Qeverisë i ka kushtuar programeve informuese të edukimit dhe parandalimit të luftës kundër dopingut në sistemin para universitar.  Risi e re e këtij programi është tematika: Edukim në shërbim të shëndetit, mirëqenies dhe komunitetit dhe konkretisht Çështja: "Rreziqet nga përdorimi i substancave që krijojnë vartësi".

Në kuadër të këtij projekti do të organizohen 8 seminare në rajonet kryesore të vendit dhe do të trajnohen 400 mësues të edukimit fizik, të cilët nga ana e tyre do të trajnojnë mësuesit e edukimit fizik të rajonit të tyre. Të gjithë mësuesit e edukimit fizik do të pajisen me tekstin fizik dhe elektronik  “Manuali i mësuesit” si dhe me materiale të tjera ndihmëse.

Gjithashtu, në përfundim mësuesit e trajnuar do të pajisen me certifikatë vlerësimi.

Manuali i mësuesit