Ministry of Education and Sports

Dita Ndërkombëtare e Romëve, Ministrja e Arsimit dhe Sportit mirëpret përfaqësues të komunitetit

Në datën 3 prill 2017, në vijim të aktiviteteve në prag të 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, në sallën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit u organizua promovimi i përfshirjes së të rriturve romë në arsim. Në takim morën pjesë të rinj e të rritur romë që ndjekin arsimin bazë me kohë të pjesshme në shkolla të qyteteve Tiranë, Krujë, Berat dhe Shkodër, drejtues të atyre shkollave, përfaqësues nga UNDP, të REF-it, aktivistë romë dhe egjiptianë, punonjës të MAS-it etj.

Gjatë promovimit u theksua se e drejta për arsimimin e shtetasve shqiptarë, e të huajve dhe e personave pa shtetësi, pa u diskriminuar nga gjinia, raca, ngjyra, etnia, gjuha, orientimi seksual, bindjet politike ose fetare, gjendja, ekonomike apo sociale, mosha, vendbanimi, aftësia e kufizuar ose për arsye të tjera që përcaktohen në legjislacionin shqiptar, është një detyrim kushtetues dhe edukimi e arsimimi i të gjithë fëmijëve dhe të rinjve pa dallim mbështeten nga ligji për sistemin arsimor parauniversitar. Ofrimi i shërbimit arsimor për anëtarët e komunitetit rom mbështetet në krijimin real të mundësive të barabarta në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, veçanërisht në zbatim të Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020 dhe në plotësim të rekomandimeve të seminarit mbi ndërgjegjësimin për përfshirjen e komunitetit rom, në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE.

Dy vitet e fundit, të rriturve romë që nuk kanë mbaruar arsimin e detyruar, u ofrohet arsimimi me kohë të pjesshme në arsimin bazë, po dhe në gjimnaz. Nga 565 të rritur të regjistruar në arsimin bazë me kohë të pjesshme, rreth 120 vijnë nga komunitetet rome dhe egjiptiane, sidomos në qytetet Fushë-Krujë, Berat dhe Shkodër. Qendra për të Drejtat e Gruas Rome, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të znj. Manjola Veizi, Drejtore Ekzekutive, ka punuar fort për sensibilizimin e komunitetit romë për një qasje pozitive të të rriturve romë dhe egjiptianë ndaj kësaj forme të arsimimit.

 

Pjesëmarrësit në aktivitet u pritën nga Znj. Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit, e cila shprehu kënaqësinë e saj që po takohej me të rriturit-nxënës romë dhe egjiptianë dhe vuri në dukje se “Ministria e Arsimit dhe Sportit po i jep përparësi dhe edukimit të fëmijëve romë qysh në fëmijërinë e hershme. Për këtë, në zbatim të nismës “Çdo fëmijë rom në kopsht”, në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare është shtuar kujdesi për rritjen e frekuentimit të kopshtit dhe për integrimin e fëmijëve romë në kopshte”. Ajo shprehu bindjen se numri i të rriturve romë dhe egjiptianë që do të ndjekin dhe do të përfundojnë arsimin bazë, pse jo dhe gjimnazin, do të rritet në mënyrë të ndjeshme që në shtator të vitit në vazhdim.

 

Tashmë, mbi 3400 nxënës romë dhe mbi 5800 nxënës egjiptianë, ashtu si dhe disa kategori të tjera të nxënësve, i përfitojnë tekstet shkollore falas çdo vit shkollor. Fëmijëve parashkollorë dhe nxënësve romë e egjiptianë të arsimit bazë u sigurohet transporti falas në të gjitha rastet kur ata udhëtojnë mbi dy kilometra nga shtëpia për në shkollë. Dhjetëra të rinj romë pranohem me kuota të veçanta në nivelin e parë dhe të dytë të studimeve, duke u përjashtuar 100% nga pagesa e tarifës së shkollimit në bachelor”, – shtoi më tej znj. Nikolla.

Në takimin e organizuar, Qendra për të Drejtat e Gruas Rome parashtroi disa rekomandime që synojnë krijimin e mundësive të plota që të rriturit romë dhe egjiptianë, të interesuar për arsimimin e tyre, të regjistrohen me lehtësi në arsimin bazë me kohë të pjesshme dhe ta mbarojnë me sukses atë, në mënyrë që të mos përballen me vështirësi të mëdha për t’u integruar në tregun e punës, pasi nuk do të jenë me arsimim të cunguar e të pamjaftueshëm dhe do të mund të zotërojnë më lehtë ndonjë profesion. Znj. Nikolla siguroi se rekomandimet po vlerësohen nga ana MAS-it dhe premtoi se do të merren parasysh të gjitha ato propozime që do t’i shërbejnë përmirësimit të situatës arsimore të komuniteteve rome dhe egjiptiane.