Ministry of Education and Sports

Trashëgimia institucionale dhe jetësore e Kahreman Yllit

Ministria e Arsimit dhe  Sportit, nën kujdesin e veçantë të znj.Lindita Nikolla, organizoi aktivitetin me temë: “Trashëgimia institucionale dhe jetësore e Kahreman Ylli” në 100-vjetorin e lindjes së krijuesit të Universitetit të Tiranës, ministrit të Arsimi dhe diplomatit, profesor Kahreman Yllit.

Në Aulën e Universitetit Politeknik të Tiranës historianë, familjarë si dhe figura të njohura të botës akademike kujtuan veprën e profesor Kahreman Yllit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla, në fjalën e saj vlerësoi vlerësoi Kahreman Yllin si një figurë e jashtëzakonshme si dhe kontributin e tij në arsim, duke theksuar se ai mbetet një figurë e shquar në plejadën e intelektualëve tanë të shekullit të kaluar, një figurë e cila na frymëzon dhe në ditët e sotme për ta zhvilluar më tej arsimin shqiptar dhe kërkimin shkencor në universitet:

 

“Si Ministre e Arsimit, jam shumë e nderuar të flas për një ish-ministër arsimi, për Mësuesin e Popullit Kahreman Ylli, që ka lënë gjurmë të pashlyera jo vetëm në fushën e arsimit dhe të kulturës, pasi ai, para se të bëhej veprimtar i shquar i zhvillimit të arsimit, kulturës dhe shkencës, ka qenë luftëtar i lirisë dhe i progresit shoqëror. Kahreman Ylli meritoi të jetë dhe Nderi i Kombit, sepse kudo ku luftoi e punoi, në Zaloshnjë të Skraparit, në Dibër, në Gostivar, në Elbasan, në Korçë e Berat, shërbeu si një intelektual i shquar. Ai drejtoi komisionin kombëtar për luftën kundër analfabetizmit, por dhe ideoi dhe udhëhoqi mjaft reforma në arsim dhe shkencë, veçanërisht për forcimin e arsimit të lartë, zhvillimin e shkencave albanologjike, krijimin e rrjetit të institucioneve shkencore e teknike, përfshirë këtu dhe Akademinë e Shkencave. Pasionin e Kahreman Yllit për arsimin dhe pedagogjinë, vizionin dhe besimin që ai kishte për të ardhmen e atdheut, ne i gjejmë në trashëgiminë pedagogjike që na ka lënë. Talentin e tij, si pedagog e studiues, e vërejmë në shkrimet dhe studimet e tij të cilat dallohen nga thellësia, mprehtësia dhe sensi shkencor i kapjes dhe trajtimit të problemeve kyçe më të rëndësishme. Kahreman Ylli e drejtoi me mençuri dhe Universitetin e Tiranës drejt transformimit në qendrën më të madhe shkencore të vendit. Puna e tij në arsim dhe në shkencë qe e cilësisë së një njeriut të shquar. Nëse do ta studiojmë me vëmendje trashëgiminë teorike pedagogjike të Kahreman Yllit, do të arrijmë në përfundimin se ajo nuk ka pa rrokur e pa trajtuar me kompetencë të gjitha pamjet e shkollës, të edukatës, të aktualitetit dhe të ardhmërisë së tyre.

Kryetari I Kuvendit, z.Ilir Meta, vlerësoi akademikun Kahreman Ylli si një figurë e jashtëzakonshme, që spikaste me mençurinë, largpamësinë, modestinë dhe raportin njerëzor:

“Në fushën e arsimit angazhimi i tij është i jashtëzakonshëm. Që nga lufta ndaj analfabetizmit, që nga krijimi i tre instituteve të larta, që ishin bërthama e krijimit të Universitetit të Tiranës, kontributin e tij për krijimin e Akademisë së Shkencave, për përparimin e shkencave albanologjike e deri në përkrahjen për Universitetin e Prishtinës”.

Akademikët kujtuan veprën e profesorit jo vetëm në arsim, por edhe si diplomat në disa momente historike të Shqipërisë, siç ishte edhe Konferenca e Parisit dhe në gjyqin ndërkombëtar të Hagës ku mbrojti të drejtat e Shqipërisë.

Kahreman Ylli lind në një familje patriotike në fshatin Leshnjë, në Skrapar dhe u bë pjesë e Luftës Antifashiste. I diplomuar në vitin 1938 në Lion të Francës, profesor Kahreman Ylli solli në Shqipëri dijen dhe përvojën në Shqipërinë e pasluftës, e zhytur në analfabetizëm.
 

Kahreman Ylli ishte Ministër i Arsimit në vitet 1949-1952 dhe më pas rektor i Universitetit të Tiranës si dhe me detyra të tjera të larta në aparatin shtetëror për problemet e shkencës dhe të kulturës. Kahreman Ylli ishte deputet i Skraparit në 6 legjislatura të Kuvendit Popullor.

Aktiviteti u finalizua me dokumentarin e përgatitur nga familjarë të Kahreman Yllit në nder të punës dhe veprës së tij.

Profesor Kahreman Ylli u nda nga jeta në 3 shtator 1975.