Ministry of Education and Sports

Konkursi Kombëtar “Mësuesi i Vitit”

Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Koalicionin për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri organizon për herë të parë konkursin kombëtar “Mësuesi i vitit”.

Konkursi synon vlerësimin e figurës së mësuesit nga institucionet përkatëse, komuniteti, shoqëria dhe më gjërë për të gjithë kontributin që ata japin çdo ditë në edukimin e fëmijëve në mbarë vendin. Të gjithë  mësuesit që japin mësim në arsimin parauniversitar publik edhe privat në Republikën e Shqipërisë mund të marrin pjesë në  Çmimi Kombëtar “Mësuesi i vitit”.

E pranishme në ceremoninë e shpalljes së konkursit kombëtar “Mësuesi i vitit” Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Lindita Nikolla, theksoi se figura e mësuesit është kyçe për një sistem arsimor cilësor dhe gjithpërfshirës:

“Figura e Mësuesit është trajtuar dhe vijon të trajtohet në shumë aspekte dhe këndvështrime. Kjo, për vetë natyrën, rolin dhe rëndësinë që figura e Mësuesit ka në jetën e çdo individi, por edhe në jetën e shoqërisë sonë. Aq sa me të drejtë, profesioni i Mësuesit, më shumë se profesion, konsiderohet si Mision. Ne jemi të vetëdishëm dhe njëherazi krenar, që edhe shoqëria jonë e ka pranuar dhe trajtuar figurën e mësuesit, si një ndër figurat më të rëndësishme të edukimit dhe të arsimimit të individit, por edhe të zhvillimit tw qwndrueshwm të shoqërisë sonë. Siç kemi dëshmuar gjatë këtyre viteve, mësuesi ka qenë gjithmonë në qendër të proceseve reformuese. Arritjet e deritanishme të evidencuara në zbatimin e kurrikulave të reja shkollore, padyshim që janë rezultat i punës së palodhur të mësuesve tanë. Përgjeshmëria dhe profesionalizmi i dëshmuar nga mësuesit në realizimin e programeve dhe metodologjive të reja të mësimdhënies, janë arsyeja dhe garancia për të na bërë krenar dhe shpresëplotë që edhe fëmijët tanë po përfitojnë dhe do të vijojnë të përfitojnë gjithnjë e më shumë atë ç`ka në të vërtetë ata meritojnë; Arsim cilësor për të gjithë.”

Drejtori I Përgjithshëm I CRCA në Shqipëri, z.Altin Hazizaj, theksoi se qëllimi I konkursit është që të vlerësojë ata mësues të cilët bëjnë diferencën në mësimdhënie.

“Konkursi është një mundësi që çdo mësues që alikon në konkurs të vlerësohet publikisht. Shqipëria ka shumë shumë mësues të tillë. Do të jetë një proces I njohjes dhe vlerësimit të figurës së mësuesit. Falenderim të sinqertë për ministren e Arsimit dhe mbështetjen e saj në realizimin e këtij konkursi.”

Gjatë muajve në vijim do të mblidhen nominimet, Për të bërë të mundur përzgjedhjen dhe vlerësimin e kandidaturave do të ngrihet një juri e përbërë nga figura të shquara të botës akademike, figura publike, gazetarë etj, të cilët pas vlerësimit, do të përzgjedhin 20 mësuesit më të mirë.  Profilet e mësuesve do të bëhen publike në faqen zyrtare të Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri. Një forum i hapur me pjesëmarrjen e mësuesve të përzgjedhur do të organizohet gjatë periudhës Shtator-Tetor. Në 5 Tetor 2017 në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Mësuesit, në një aktivitet të madh publik Juria do të shpallë mësuesit fitues të Çmimit Kombëtar “Mësuesi i vitit”.

Çmimi Botëror për Mësuesin, i cili është vlerësuar nga media si Çmimi “Nobël në Mësimdhënie”,  është një inisiativë e ndërmarrë nga Fondacioni Varkey, i cili vlerëson profesionin e mësuesit si dhe zbulon me mijëra histori të mësuesve të cilët kanë dhënë një kontribut në transformimin e jetëve të fëmijëve dhe të rinjve.