Ministry of Education and Sports

Një qendër moderne telematike e kërkimit shkencor për të gjitha universitetet shqiptare

Një qendër telematike kërkimi shkencor me teknologjinë më të përparuar do të ngrihet së shpejti, falë një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për të mbështetur këtë ndërmarrje të rëndësishme.

Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinise Lindita Nikolla dhe 12 Rektorët e Universiteteve shqiptare në mbështetje të nenit 6 të ligjit Nr.9704, datë 2.4.2007 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për realizimin e një Qendre shërbimesh dhe të një rrjeti telematik për universitetet” dhe të neneve 96 e 129, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” firmosen dje marrëveshje për krijimin e Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH).

Firmosja e Marrëveshjes do të bëjë të mundur ndërtimin e një qendre të përbashkët të kërkim-zhvillimit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, pjesë e së cilës janë të gjitha universitetet publike dhe Ministria përgjegjëse për Arsimin dhe kërkimin shkencor.

RASH do tu sigurojë universiteteve tona një shërbim të unifikuar cilësor dhe të sigurt të aplikacioneve software brenda rrjetit telematik dhe do te bëjë të mundur, që në këtë shërbim të kenë akses: pedagogë e studentë, mësues e maturante, si dhe gjithë agjensitë për arsimin dhe kërkimin shkencor.

Qëllimi i Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar, është:

a) zhvillimi dhe promovimi i projekteve të kërkim-zhvillimit dhe inovacionit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) për arsimin dhe shkencën.

b) krijimi i infrastrukturës për ngritjen e një Qendre të përbashkët ndërdisiplinore kërkim-zhvillimi dhe shërbimesh TIK nga universitetet pjesëmarrëse.

c) pjesëmarrja dhe koordinimi i kërkuesve vendas në projektin europian të kërkimit "GÉANT 2020" në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), pjesë përbërëse e programit kuadër europian të kërkim-zhvillimit dhe inovacionit H2020.

d) zhvillimi i programeve software “in house” dhe ofrimi i shërbimeve përkatëse për Ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe agjencitë e varësisë, institucionet e arsimit të lartë/parauniversitar, institucionet e kërkimit shkencor.

e) zhvillimi i infrastrukturës "Cloudcomputing" dhe "Supercomputing" nëpërmjet Qendrës së të Dhënave për Arsimin dhe Shkencën (Datacenter) dhe çdo infrastrukture tjetër TIK të nevojshme për Universitetet.

f) promovimi i mobilitetit të studentëve përmes shkëmbimit të dhënave elektronike të studentëve, pjesë e rrjetit ndërkombëtar "Deklarata e Gronigenit".

g) pjesëmarrja në rrjetin universitar europian te Sistemeve informatike “EUNIS” në shërbim të zgjerimit të spektrit të shërbimeve për universitetet.

h) mbledhja, përpunimi dhe publikimi i të dhënave për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor për llogari të Ministrisë përgjegjëse për arsimin, si një burim i të dhënave, statistikave dhe analizave.

Për ndërtimin e Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar janë ndërthurur eksperiencat më të mire nga Italia fqinje e dy konsorciumeve më të mëdha të botës universitare italiane “Cineca” dhe “GARR”, por edhe konsulenca e partneriteti i vazhdueshëm i “GÉANT Assocation”, rrjetit pan-europian i Kërkimit dhe Arsimit me 38 partnere dhe mbi 50 milion përdorues anembanë Europës, ku Qendra është partnere me të drejta të plota.