Ministry of Education and Sports

Fjalimi i ministres Lindita Nikolla në Parlament

Nuk jam e surprizuar nga gjithë fjala e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Arsimin dhe Median. Duke qenë se është në vijimësi të gjithë qasjeve të saj dhe qëndrimeve të saj, ku e pavërteta është kryefjala e çdo vlerësimi që jep për punën e bërë në arsim, ashtu sikurse të pa vërteta dhe denigruese së pari për mësuesit, për prindërit por pa dyshim edhe për specialistët e arsimit. Ishin gjithçka u tha edhe me një nismë të re që ka të bëjë mirëfilli me një proces të ri organizimi dhe lirie të shkollës për organizimin e orëve mësimore si dy orë të njëpasnjëshme. Gjithsesi prindërit, mësuesit dhe nxënësit që e kanë mirëpritur këtë nismë, do të jenë ata që hap pas hapi jo vetëm do të ndiejnë që kjo është në favor të cilësisë së dijes në shkollat shqiptare, por nga ana tjetër pa dyshim është një mënyrë e re e organizimit orarit mësimor, që do të mundësoj në uljen e mbi ngarkesës së nxënësve shqiptarë, po ashtu jo thjeshtë vetëm në peshën e çantave, që është një problem shumë i madh për shëndetin e tyre dhe përtej kësaj, për mirë funksionimin e orëve mësimore për të realizuar atë që është prioriteti i kurrikulës së re, qasjet me kompetencat. Megjithatë unë po ju them pa dashur t’i kthej përgjigje gjithçkaje që u tha këtu, që është nga A te Zh-ja, mënyra sesi Partia Demokratike ka qeverisur arsimin, mënyra sesi Partia Demokratike i ka parë mësuesit në Shqipëri, thjeshtë si numra për t’u përfshirë në protesta edhe në greva me pahir, apo si numra për të bërë nesër vota. Më lejoni t’iu them që nga mësuesit e Shqipërisë të pyetur për këtë nismë të re, e përsëris edhe njëherë që është fleksibël në varësi të shkollave të vendit, për të cilat ne kemi punuar dhe po punojmë jo vetëm me përgatitjen e gjithë materialeve didaktike por edhe me procesin e trajnimit të mësuesit, t’iu them 76.1% e mësuesve në Shqipëri, përgjigja se menaxhimi i orarit mësimor për zbatimin e nismës “3 lëndë në 6 orë”, është i zbatueshëm në shkollën tuaj duke thënë  ‘dakord’, po kështu me të njëjtën përgjigje 76.6% e mësuesve përgjigjen se gjatë zbatimit të kësaj nisme mësuesit kanë më shumë kohë për të zhvilluar kompetencën që para përcakton kurrikula. 79% e tyre përgjigjen se orari me dy orë të njëpasnjëshme krijon më shumë mundësi për përdorimin e metodave dhe teknikave të reja që nxisin gjithë përfshirjen e nxënësve në orën e mësimit. 80% e tyre përgjigjen se nisma mundëson më shumë kohë në dispozicion të mësuesit për përdorimin e llojeve dhe teknikave të ndryshme të vlerësimit: si vetë vlerësimin e nxënësit, vlerësimin e nxënësit nga nxënësi, vlerësimi për pjesëmarrje në veprimtari dhe diskutime në klasë, vlerësime në detyrat e shtëpisë apo të klasës etj. 75% e mësuesve përgjigjen se janë plotësisht dakord se me zbatimin e kësaj nisme, mësuesi ka më shumë kohë për të plotësuar dokumentacionin. Më lejoni po ashtu të sjellë përpara jush edhe vlerësimin që jep Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar, i cili jo vetëm është mbledhur por ka shprehur në një takim të gjatë më pas edhe me shkrim secili prej anëtarëve, të cilët unë dua t’i falenderoj personalisht se çfarë përfaqëson për arsimin kjo nismë e re e orëve të njëpasnjëshme. Liria akademike e mësuesit merr hapësira zbatuese duke bashkuar tema të përafërta në ndihmë të kurrikulës bërthamë dhe qasjes ndër lëndore. Njohja në thellësi e kurrikulës nga mësuesit mundëson organizim mësimor më efikas, realizimin e moduleve dhe projekteve. Tjetër mendim rrit bashkëpunimin mësues-nxënës, punë e diferencuar për nivelet e nxënësve me vështirësi në të nxënë. Përdorimi i teknikave të mësimdhënieve dhe mësimnxënie, gjithashtu dhe përdorimi i teknologjisë së mjeteve audio-vizive kërkon shtrirje kohore. Organizimi i ri i orarit mësimor e lehtëson këtë, krijon hapësirë të mjaftueshme ndërveprimi në klasa, duke gërshetuar ngarkesën mësimore me veprimtarinë zbavitëse të karakterit didaktik. Zhvillimi në hapësirë kohore prej 45 minutash pushim dhe plus 45 minuta në art dhe në edukim fizik, rrit efikasitetin dhe kënaqësinë e fëmijëve. Ulet mbingarkesa e përgatitjes ditore, nxënësit e kanë më të lehtë të përkushtohen në përgatitjen e tyre ndaj një lënde mësimore. Kjo i lë hapësirë që t’a shtyjmë të punuarit me bazë problemin dhe të punës me bazë të projektin. Lehtëson peshën e çantave të nxënësve që ka sjellë shqetësime në shëndetin e fëmijëve, si dhe pa dyshim sjell një situatë të re të uljes së mbi ngarkesës po ashtu edhe të punës së mësuesve në çdo orë mësimi. Këto janë mendime që vijnë nga mësuesit e Shqipërisë dhe nga ekspertët e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Kjo është e vërteta e punës tonë, e vërteta që do ta prekin çdo ditë  fëmijët e Shqipërisë, po ashtu mësuesit dhe prindërit e tyre.

Faleminderit!